Breaking News

Shtohen shqetësimet mbi kthimin e terroristëve në Evropë

Ben Wallace, ministër i sigurisë së brendshme në Angli, ka shprehur shqetësimin mbi kthimin e terroristëve në Evropë dhe kryesisht në Britaninë e Madhe.

Pas ngjarjeve terroriste në Spanjë, krerët e vendeve evropiane dhe organet e sigurisë në Evropë janë vënë në gjendje gatishmërie. Sipas ministrit të brendshëm të Anglisë, ISIS ka humbur territoret e kontrolluara prej tij në Irak dhe anëtarët e tij  janë tërhequr për në Raka të Sirisë, por sulmet ndaj këtij qyteti i ka detyruar anëtarët e ISIS që të largohen dhe kthehen në vendet nga kanë ardhur. Ndërsa kërkimi i anëtarëve të mbetur të celulës marokene, përgjegjëse për sulmet terroriste në Spanjë vazhdon, vëmendja tani po spostohet ngadalë tek qindra terroristët e kthyer përmes ngushticës së Gjibraltarit, kontigjent që shton kërcënimin në dyert e Evropës. Rreth 1.000 terroristë mendohet të kenë marrë rrugën e kthimit në Marok e Tunizi, pas shkatërrimit të ISIS. Nga Maroku  ishin 6 prej 12 terroristëve që organizuan sulmet në Katalonjë. Vetëm një ish lider i krahut operacional të grupit të dhunshëm ekstremist e ka pranuar se eksodi i terroristëve të ISIS-it përfshin militantë të zemëruar nga statusi i tyre në Evropë. Tokat e kontrolluara prej ISIS-it u rrudhën për javë dhe disa prej ndjekësve të grupit terrorist janë duke e transportuar zemërimin në vendet e tyre të lindjes. Afërsia e Marokut me Spanjën ndihmon në ndërmarrjen e  sulmeve apo edhe infiltrimin e mëtejshëm në kontinentin e vjetër.  Në kulmin e fuqisë së ISIS-it, 1.600 marokenë besohet të kenë udhëtuar drejt Irakut e Sirisë, çka i bën ata, njërin prej grupeve më të mëdha të shtetasve të huaj në territorin e tkurrur me aq shpejtësi të ISIS.  Gati gjysma e këtyre njerëzve llogaritet të jenë vrarë. Afrika e Veriut, prej kohësh ka qenë një terren pjellor i ekstremizmit dhe tani çdo ditë e më shumë shihet si platformë lëshimi për sulmet  drejt Evropës, një formë shpagimi kjo ndaj humbjes së tokës dhe pjesëtarëve të grupit terrorist takfirist ISIS. Ish lideri i ISIS-it, i tërhequr në 2015-ën, identiteti i të cilit nuk bëhet publik, rrëfen se ka pasur kontakte me shumë marokenë të radikalizuar që përpara bashkimit me ISIS-in.  Më të pakënaqurit, sipas tij, janë ata që kanë jetuar në Francë. Sensi i luftës së klasave në shoqëri të perceptuara si jomikpritëse ka qenë element i përbashkët i shumë burrave dhe djemve të nisur drejt Afrikës së Veriut, për t’iu bashkuar grupit terrorist takfirist ISIS-in. Në këto kushte Ben Wallace, ministër i sigurisë së brendshme Britaninë e Madhe njoftoi se kuota e rrezikshmërisë nga terrorizmit në Angli ka arritur nivelin më të lartë që  nga viti 1996. Ministri britanik i Sigurisë ka paralajmëruar se kërcënimi terrorist është ende në rritje në Britani, pavarësisht humbjeve të fundit të grupit  terrorist ISIS në Irak dhe Siri. Ministri i Sigurimit Ben Wallace tha se Evropa është nën “sulm të vazhdueshëm” nga grupet terroriste, sepse ISIS po shkatërrohet në Siri dhe njerëzit nuk janë në gjendje të shkojnë atje për të luftuar për ISIS-in dhe kështu ata përpiqen të bëjnë diçka në shtëpi. ” Unë mendoj se këto dy fakte reale tregojnë se kërcënimi është në një farë mase në rritje,” shtoi ai. Tashmë grupi terrorist ISIS është dëbuar nga qyteti verior i Mosulit, bastioni kryesor i tij në Irak, i cili u çlirua më 10 korrik. Grupi terrorist ka humbur gjithashtu pjesë të mëdha të tokave të pushtuara në Siri dhe tani është subjekt i operacioneve intensive kundër terrorizmit në qytetin Raka, i cili ende ndodhet nën kontrollin e ISIS-it. Kohët e fundit, Britania ka qenë në shënjestër të disa sulmeve terroriste të pretenduara nga ISIS. Vendi e rriti nivelin e gatishmërisë ndaj kërcënimeve terroriste në mënyrë kritike pas një sulmi terrorist në muajin Maj, që vrau të paktën 22 vetë, duke përfshirë shtatë fëmijë, në Manchester Arena në fund të një koncerti. Më vonë në qershor, dy sulme morën jetën e së paku dhjetë njerëzve në Londrën qendrore.

Advertisements