Breaking News

Vazhdojnë diskutimet mbi detyrimet financiare të Anglisë në çështjen Brexit

Britania duket e gatshme dhe e përgatitur të paguajë plot 40 miliardë euro (36 mld paund) për të zgjidhur çështjen e faturës së divorcit me Brukselin.

Të paktën kështu pretendon një raportim i “Sunday Telegraph”, edhe pse burime qeveritare britanike e kanë mohuar atë. “Sunday Telegraph” thekson se ka biseduar me “tri burime të ndryshme të niveleve të larta”, që kanë konfirmuar planin sipas të cilit Britania e Madhe do të paguajë 10 miliardë euro në vit për 3 vitet e para pas shkëputjes nga BE-ja në vitin 2019, pjesë e një shume që do të kapte vlerën e përgjithshme prej 40 mld eurosh. Javën e kaluar, kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel tha se fatura e përgjithshme mund të kapë edhe vlerën e 54 miliardë eurove. Por, artikulli i medias britanike sugjeron se Britania mund të jetë e gatshme të ofrojë një kompromis, duke lejuar dy palët që të përafrohen në diskutimet e kontureve të marrëdhënies së ardhshme të tregtisë. Gjithsesi, një burim i lartë qeveritar është shprehur për “Sky News” se raporti nuk ishte korrekt në tërësi, e shtoi se në radhët e qeverisë nuk dihet se nga ka buruar ky spekulim. “Downing Street” ka refuzuar të bëjë ndonjë koment zyrtar, ndërsa thekson vetëm se negociatat janë duke vijuar. Bashkimi Evropian këmbëngul se duhet bërë “progres i mjaftueshëm” në zgjidhjen financiare, te të drejtat e qytetarëve evropianë në Britani dhe qytetarëve britanikë në BE, së bashku me çështjet e kufirit me Irlandën, përpara se bisedimet të avancojnë më tej. Qeveria britanike gjithsesi ka pranuar se do të punojë drejt një “zgjidhjeje të drejtë” sa i përket “të drejtave dhe detyrimeve të saj si anëtar në largim i BE-së”. Negociatat e Britanisë për shkëputjen nga Bashkimi Evropian ende nuk kanë nisur siç duhet për shkak të “diferencave” brenda kabinetit qeveritar të Mbretërisë ishullore. Kështu shprehet ish-kreu i diplomacisë, Sir Simon Fraser, në detyrë deri në vitin 2015, i cili shton se pala britanike ka qenë disi “e tërhequr” nga negociatat formale në Bruksel.  Sir Simon, i cili vepron tashmë si këshilltar i bizneseve mbi çështjen “Brexit”, tha se është i shqetësuar që Britania e Madhe nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë përpara evropianëve. Qeveria pritet të publikojë dokumentet mbi pozicionin e tyre për disa çështje, shumë shpejt. Sipas ish-diplomatit, frika për përçarje brenda kabinetit po pengon qeverinë që të prezantojë një qëndrim të unifikuar. “Negociatat vetëm sa kanë filluar dhe nuk mendoj se kanë nisur në mënyrë veçanërisht premtuese për palën britanike”, tha ai. “Ende nuk kemi shpalosur një pjesë të mirë të qëndrimit, pasi siç e dimë, ka ende dallime brenda kabinetit mbi llojin e ‘Brexit’-it me të cilin do të përballemi. E derisa këto dallime të mund të sheshohen, mendoj se është shumë e vështirë për ne që të kemi një pozicion të qartë e unik. Gjithashtu mendoj se nuk kemi ofruar mjaftueshëm në tryezën e diskutimeve, përveç statusit të shtetasve evropianë e britanikë, ndaj dhe duket se jemi disi të munguar në negociatat formale”, shtoi ai. Sir Simon bën thirrje ndaj qeverisë që të publikojë detaje të tjera mbi pikëpamjet e saj për çështje të ndryshme, përfshi këtu edhe menaxhimin e ardhshëm të doganave, si dhe kufirit me Irlandën e Veriut, në javët e ardhshme. “Mendoj se duhet të tregojmë se jemi gati për t’u angazhuar në thelb, në mënyrë që njerëzit të mund të kuptojnë se çfarë është në lojë në këtë negocim dhe cilat janë opsionet që mund të zgjedhim”. Muajin e kaluar, Sekretari britanik për “Brexit”-in, David Davis tha se ishte besimplotë se negociatat do të vijonin sipas planit, pas raportimeve se Brukseli mund t’i vonojë diskutimet mbi tregtinë për shkak të mungesës së progresit në zgjidhjen e “divorcit”.

Advertisements