Breaking News

Shqetësime mbi sjelljet e Trump ndaj medias

Vendimet e qeverisë amerikane dhe të departamentit amerikan të drejtësisë për të analizuar dhe shqyrtuar rrjedhjen e informacioneve sekrete, ka ngjallur shqetësime sidomos në radhët e medias.

Sipas gazetës Hafington Post, veprimet e qeverisë amerikane do të bëhen shkak për burgosjen e gazetarëve dhe për kufizimin e medias dhe të lirisë së shprehjes. Ndërsa drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Dan Coats tha se vitet e fundit janë përjetuar disa nga kompromentimet më të rënda të informacioneve të klasifikuara në historinë amerikane, të cilat sipas tij kanë rezultuar në një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare. “Këto cënime të sigurisë kombëtare nuk e kanë origjinën vetëm në komunitetin e inteligjencës, por vijnë nga një varg i gjerë burimesh brenda qeverisë, përfshirë degën ekzekutive e madje edhe Kongresin”, tha Dan Coats, drejtor i Inteligjencës Kombëtare. Ai nuk dha menjëherë identitetet e të akuzuarve, por tha se ata akuzohen për zbulim të paligjshëm të informacioneve të klasifikuara, apo se kanë pasur kontakte me zyrtarë të shërbimeve të huaja të zbulimit. Trump, në mënyrë të përsëritur ka shprehur zemërim në lidhje me rrjedhjen në media të informacioneve mbi të dhe administratën e tij, që kur u ul në detyrë në janar. Disa kanë qenë të lidhura me hetimet për përzierjen e supozuar ruse në zgjedhjet e vitit 2016, të tjera kanë shkaktuar përplasje në Shtëpinë e Bardhë. Drejtori i Shërbimit Sekret Kombëtar, Dan Coats shtoi: “Në qoftë se shtypi publikon informata konfidenciale të papërshtatshme, ne do t’i gjejmë ata që e bëjnë këtë.” Rrjedhjet e pandërprera të informacionit po e bëjnë qeverinë amerikane nervoze. Tani Sekretari i Drejtësisë Sessions tërhoqi frenin e alarmit. Sekretari i Drejtësisë, Jeff Sessions, u tha gazetarëve në Uashington, se do t’i kundërvihet më me ashpërsi rrjedhjes së informatave konfidenciale të qeverisë. Ai tha se do ta luftojë me ashpërsi bërjen publike në media të dokumenteve të qeverisë dhe atyre të fshehta. “Numri marramendës” i informacioneve të rrjedhura minon “aftësitë e qeverisë për të mbrojtur vendin tonë” – tha Sessions. Që pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re të SHBA-së numri i hetimeve zyrtare në rastet e rrjedhjes së informacioneve sekrete është trefishuar. Ministri i Drejtësisë Sessions tha se madje ndaj katër personave është ngritur akuzë për publikim dokumentesh sekrete apo kontakte me shërbimet sekrete të vendeve të huaja. Presidenti Donald Trump është ankuar muajt e fundit në mënyrë të përsëritur për faktin që në media janë cituar pjesë nga takimet e tij konfidenciale, nga telefonatat dhe nga dokumentet e brendshme. Në fakt pothuajse për çdo ditë dalin në publik informacione konfidenciale, të dhëna, detaje personale ose përmbajtje bisedash telefonike. Presidenti Trump e ka kritikuar shpesh punën e mediave dhe praktikën e tyre për t’u mbështetur në burime anonime. Në mënyrë të veçantë ai është zemëruar për rrjedhjet e informacioneve që kanë të bëjnë me çështjen e kontakteve të dyshimta të anëtarët e ekipit të tij të fushatës elektorale me Rusinë. Sessions po shqyrton gjithashtu edhe mundësinë për të ndërmarrë hapa të mundshme ndaj mediave që publikojnë informacione konfidenciale. Ai tha se po shqyrtohen rregulloret ekzistuese në lidhje me rrethanat, në të cilat gazetarët mund të detyrohen që të zbulojnë burimet dhe materialet e tyre.

Advertisements