Breaking News

Zbatimi i sanksioneve të reja të BE kundër Rusisë

Bashkimi Evropian, i ka zgjeruar sanksionet kundër kompanive ruse dhe disa personave, duke përfshirë zëvendësministrin e Energjisë, Andrei Cherezov, për shkak të dërgimit të disa turbinave, Siemens nga Rusia në gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar nga Ukraina.

Diplomatët evropianë, kanë thënë se zëvendësministri i Energjisë, Andrei Cherezov, dhe udhëheqësi i departamentit të ministrisë, Yevgeny Grabchak, janë shtuar në listën e të sanksionuarve për “aksione që cenojnë territorin e Ukrainës, sovranitetin dhe pavarësinë e saj”. Këshilli Evropian, ka thënë se personave të sanksionuar i’u ndalohet udhëtimi në vendet e BE-së dhe i’u bllokohen asetet që i kanë në kompani të territorit evropian. Ministria e Jashtme e Rusisë, e ka quajtur vendimin për zgjerimin e aksioneve, si hap “të pajustifikueshëm”, i cili ka bërë vend për të marrë masa hakmarrëse. Krimea, ka qenë qendër e sanksioneve evropiane, sa i përket teknologjisë energjetike, prej kur forcat ruse kanë marrë kontrollin në atë rajon nga marsi i vitit 2014. Me vendimin e fundit, lista e sanksioneve arrin numrin e 153 personave të sanksionuar. Sanksionimet kanë filluar nga marsi i vitit 2014. Siemens ka thënë se turbinat janë dërguar “ilegalisht” në Krime dhe “pa dëshirën tonë”, me ç ‘rast kompania i ka ndërprerë disa marrëveshje me Rusinë. Rusia kohëve të fundit është përballur me sanksione të reja të vendosura nga SHBA. Në qasjen e zyrtarëve të Rusisë, sanksionet e fundit të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, i japin fund çdo përpjekjeje për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara mes palëve. Në një reagim të fundit, Kryeministri rus, Dimitri Medvedev, i cilësoi masat ekonomike si një luftë të padrejtë për çështjet tregtare.  Sipas tij, miratimi i paketës nga ana e Donald Trump, tregon se Presidenti amerikan e ka humbur pushtetin e tij ekzekutiv përballë Kongresit amerikan. Medvedev shtoi se nëpërmjet masave shtrënguese ekonomike, Uashingtoni po tenton që të bëjë gjithashtu një luftë të pandershme me Moskën për çështjet e tregtisë. Kjo për faktin se në një nga pikat e sanksioneve parashikohet gjithashtu limitimi i sasisë së parave që amerikanët mund të investojnë në projekte energjetike që lidhen me Rusinë. Gjithashtu, kompanitë amerikane, nga tani e tutje, do ta kenë më të vështirë për të bërë biznes me entitetet ruse.

Advertisements