Breaking News

Gjuha shqipe, kërkesë e kamotshme e shqiptarëve të Maqedonisë

Me dekada të tëra, shqiptarët të cilët jetojnë në qytete të ndryshme të Maqedonisë, edhe përkundër faktit se në numër janë të bollshëm për t’u shprehur lirisht në gjuhën e tyre amtare, atyre iu ka mohuar një e drejtë legjitime e garantuar edhe me konventa ndërkombëtare.

Më në fund, qeveria e re e Maqedonisë, duke pasur në përbërje të saj edhe subjekte politike shqiptare, pranoi një të vërtetë të pamohuar, se shqiptarët janë faktor shtet-formues në Maqedoni dhe janë të mjaftueshëm për (de)stabilizimin e vendit. Qeveria e Maqedonisë me miratimin e projektligjit për përdorimin e gjuhëve, i ka përgatitur Parlamentit të këtij vendi një situatë realiste, ku padyshim se ky projektligj do të dëshmojë para partisë më të madhe opozitare maqedonase se, deri më tani nuk ka ndjekur një rrugë stabilizuese, në të cilën mund të ecnin bashkë maqedonasit dhe shqiptarët. Në të gjitha organet e shtetërore të Republikës së Maqedonisë, në ndërmarrjet publike, drejtoritë, komisionet, personat juridik, të cilët kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrë të përcaktuar me ketë ligj”, thuhet në projektligjin e Qeverisë Maqedonase, që u miratua mbrëmjen e së premtes. Edhe pse fillimisht u fol se gjuha shqipe do të ishte dhe në kartëmonedha, kjo gjë nuk është parashikuar në këtë projektligj. Ajo që nuk ka ndryshuar është shqipja në uniformat e policisë në vendet ku janë 20% shqiptarë. Por gjuha shqipe nuk do të jetë në uniformat e ushtrisë. Natyrisht duhet thënë se, një gjë e tillë mund të konsiderohet një e arritur pak e vonuar për shqiptarët e Maqedonisë, por duke pasur parasysh strukturën politike dhe gjeostrategjike në rajonin e Ballkanit, si dhe implikimet e Serbisë dhe disa aleatëve të saj në Maqedoni, një gjë e tillë ishte penguar deri më tani. Një veprim i tillë dëshmon se pozita e shqiptarëve në Maqedoni është forcuar dhe se këtë gjë tanimë e kanë kuptuar të gjithë. Edhe përkundër faktit se disa personalitete shqiptare nuk janë të kënaqur me dispozitat e këtij ligji, të cilët kanë shprehur hapur kundërshtimet dhe pakënaqësitë e tyre ndaj tij, prapëseprapë një veprim i tillë dëshmon për një ndryshim mendësie të sllavomaqedonasve karshi politikave dhe interesave shqiptare në Maqedoni. Një tjetër fakt që dëshmon për seriozitetin e qeverisë së re të Maqedonisë, respektivisht të kryeministrit Zoran Zaev, është tendenca e tij për integrimin e Maqedonisë në institucionet euro-atlantike.

Advertisements