Breaking News

Gjermania kundër sanksioneve të BE-së

Ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të luftojë sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, pasi mund të dëmtohen çështjet biznesore me Rusinë.

Në legjislacionin e ri, që u miratua me shumicë votash nga Kongresi në SHBA, sanksionet përfshijnë edhe disa firme ruse të energjisë. Ky legjislacion pritet të nënshkruhet nga presidenti amerikan Donald Trump. Liderët evropianë kanë thënë se sanksionet e reja do të dëmtonin ekonomitë e tyre. Dispozitat mund të ndikojnë në Evropë, ashtu që mund t’i lejojnë presidentit Trump të vendosë sanksione në bizneset e Perëndimit, të cilat punojnë me “Gazpromin” e Rusisë, për ndërtimin e gazsjellësit të dytë në mes të Rusisë dhe Gjermanisë, në shtratin e Detit Baltik. Ndryshe projekti njihet si Rrjedha Veriore 2. “Shumë thjeshtë, ne këto sanksione i konsiderojmë kundër ligjit ndërkombëtar”, ka thënë ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, në një intervistë për gazetën Funke Mediengruppe. “Amerikanët nuk mund të ndëshkojnë kompanitë gjermane sepse kanë interesa të biznesit në shtete tjera”, ka shtuar ajo. “Sigurisht që ne nuk duam luftë tregtare. Mirëpo është e rëndësishme që Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e kundërpërgjigjes”, ka thënë ndër të tjera Zypries. Sipas saj, Berlini i ka përsëritur disa herë kërkesën Uashingtonit të mos përfshijë dispozita që prekin kompani evropiane, në kuadër të legjislacionit për sanksionimin e Rusisë, pas supozimeve se e ky vend ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, për agresionin në Ukrainë dhe çështje tjera.

Advertisements