Breaking News

Arabia Saudite dhe Egjipti heshtin ndaj krimeve izraelite, braktisin Al Aksan

Arabia Saudite dhe Egjipti kanë treguar “indiferencë të ftohtë” ndaj krimeve të kryera nga regjimi izraelit kundër muslimanëve palestinezë në kompleksin e xhamisë së Al Aksa në Kodsin e pushtuar.

Daud Abdullah, në një artikull të publikuar nga ‘palestinechronicle.com’ të mërkurën, shkruan se masat kufizuese të imponuara nga Izraeli në kompleksin e xhamisë Al Aksa kanë shërbyer për të dëshmuar moralin e  institucioneve fetare në Egjipt dhe në Arabinë Saudite. “Institucionet fetare në Mekë, Medine dhe Kajro janë zhdukur pavarësisht situatës së rrezikshme dhe gjithnjë të përkeqësuar në Kodsin e pushtuar”, shkroi Abdullah. “Indiferenca e tyre e ftohtë ndaj gjendjes së vështirë të vendit të tretë më të shenjtë të Islamit është e padenjë për institucionet që pretendojnë të jenë udhëheqësit më të shquar të muslimanëve anembanë botës”. Institucionet fetare të sponsorizuara nga Rijadi dhe Kajro, tha ai, kanë një rekord të keq për të punuar gjithmonë me udhëheqësit e tyre politikë, të cilët për çdo gjë janë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. “Asnjëherë ata nuk kanë folur pa pëlqimin e zotëruesve të tyre politikë të cilët, nga ana tjetër, nuk veprojnë kurrë pa miratimin e Shteteve të Bashkuara”, tha Abdullah. “Mbështetja e Uashingtonit, ata besojnë, është thelbësore jo vetëm për sigurinë e tyre, por për mbijetesën e tyre”. Arabia Saudite dhe Egjipti kanë përshpejtuar përpjekjet për të mbyllur hapësirën në të cilën mund të funksionojë rezistenca tërësisht e ligjshme ndaj okupimit të bërë nga Izraeli, tha ai. “Nëse përmes mbylljes së kufijve, ndalimit të aktivistëve apo ndalimit të faqeve të internetit, qëllimi dhe ndikimi kanë qenë të njëjta, ata kanë krijuar kushte të favorshme për Izraelin për të ndjekur objektivin e tij të judaizimit të Kodsit dhe xhamisë Al Aksa”. Kjo, megjithatë, është vetëm gjysma e shpjegimit për heshtjen e tyre shqetësuese për ngjarjet nëpër tokat e pushtuara palestineze, tha ai. Sipas këtij autori, gjysma tjetër buron nga fakti se të dy shtetet tani po udhëheqin një përpjekje rajonale për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Izraelin. “Besimi dhe arsyetimi i tyre është se miqësia me Izraelin është garancia më e mirë e mbështetjes amerikane për veten e tyre”. Duke folur për të ashtuquajturin Samiti Islamik arab, i cili u mbajt në kryeqytetin saudit, Rijad, autori tha se ky takim ka avancuar agjendën izraelite në rajon. “Në këtë sfond, samiti i Rijadit i vendeve myslimane në maj, i dha Arabisë Saudite atë që amerikanët e shihnin si një mundësi përfundimtare për të hartuar një drejtim të ri udhëtimi. “Megjithëse nuk përfaqësohej zyrtarisht në samit, Izraeli doli si përfituesi i tij i vërtetë. Për kënaqësinë e tij, shteti sionist e pa presidentin amerikan të ngrihej në një kryeqytet arab dhe të barazonte Lëvizjen Palestineze të Rezistencës Islamike, Hamas, me ISIS dhe Al-Kaidën”.

Advertisements