Breaking News

Zarif: Me dështimin e marrëveshjes bërthamore, do të jetë e pamundur arritja e një marrëveshje tjetër

Ministri i punëve të jashtme të Republikës Islamike të Iranit deklaroi se edhe vetëm të mendohet zhvillimi i negociatave të tjera bërthamore me Amerikën, është i rrezikshëm dhe në rast të dështimit të kësaj marrëveshje, do të jetë e pamundur arritja e ndonjë marrëveshje tjetër.

Muhamed Xhavad Zarif, ministri i punëve të jashtme të Republikës Islamike të Iranit, në një intervistë me gazetën “New York Times”, theksoi: “Arritja e marrëveshjes aktuale bërthamore dy vite më parë ishte tepër e ndërlikuar ndërsa arritja e ndonjë marrëveshje tjetër bërthamore, praktikisht është e pamundur. Një mendim i tillë që Republika Islamike e Iranit është e gatshme për negociata të tjera me Amerikën, është një mendim shumë i gabuar”. Zarif njëkohësisht me këtë nuk e hodhi poshtë mundësinë e zhvillimit të negociatave me sekretarin amerikan të shtetit në rast se këto negociata do të jenë të dobishme për zbatimin e marrëveshjes bërthamore aktuale. Zarif shtoi: “Nëse do të jetë e nevojshme në lidhje me zbatimin e marrëveshjes bërthamore, nuk kundërshtoj takimin dhe bisedimet e mundshme me Rex Tillerson. Qeveria e Republikës Islamike të Iranit nuk ka paraqitur kurrfarë kërkese për negociata me qeverinë e Amerikës dhe nuk mendohet se një gjë e tillë mund të ndodhë në të ardhmen”. Në lidhje me veprimet e qeverisë së Amerikës kundër Iranit, z. Zarif tha: “Ndoshta qëllimi i Donald Trump, presidentit të Amerikës, është ky që duke zbatuar masa të ashpra, do ta provokojë Iranin për t’ia kthyer shpinën marrëveshjes bërthamore!”

Advertisements