Breaking News

Trump përpiqet të nxjerrë Amerikën nga izolimi

Presidenti amerikan gjatë vizitës së tij në Paris është munduar të nxjerrë Amerikën nga izolimi.

Në një konferencë për shtyp me presidentin francez Emmanuel Macron, kreu i shtëpisë së Bardhë Donald Trump, tha se mund të ndodhin ngjarje të reja rreth traktatit të Parisit për klimën. Donald Trump duket se po ndryshon mendim për murin e Meksikës dhe për marrëveshjen e klimës. Udhëtimi drejt Francës duket se ka pasur ndikim te shefi i Shtëpisë së Bardhë, sepse komentin e parë, atë të strukturës rrethuese që supozohet të pengojë emigracionin e paligjshëm e bëri në avionin presidencial që po e dërgonte atje, e të dytin gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kreun e Elizesë, Emmanuel Macron. “Mbase nuk është e nevojshme që muri të mbulojë të gjithë kufirin me Meksikën, për shkak të barrierave natyrale ekzistuese”, u tha ai gazetarëve në bordin e “Air Force One”, ku shprehu edhe një herë dëshirën që dizajni përfundimtar të përfshijë panelet diellore. Më vonë në Paris, në krah të Macronit tha se “diçka mund të ndodhë” në lidhje me vendimin e Uashingtonit për t’u tërhequr nga marrëveshja e klimës. Të premten, Trump iu bashkua presidentit francez për paradën e Ditës së Bastijës. Trupa amerikane e franceze marshuan së bashku në “Champs-Élysée” për të shënuar 100-vjetorin e hyrjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore. Parada madhështore ofroi dhe një spektakël kalorësiak, ndërsa nuk munguan avionët e helikopterët. Nga një “Jeep” ushtarak, Macron inspektoi trupat e rreshtuara në anë të shëtitores së famshme. “Kemi gjetur aleatë dhe miq, të cilëve mund t’iu besojmë, e të cilët na erdhën asokohe në ndihmë, u shpreh Macron. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në mesin e tyre dhe kjo është arsyeja, përse askush nuk do të na përçajë dot”. Trump ishte shprehur më herët se “lufta për liri” ishte ajo që bashkoi Amerikën dhe Francën. Frika e sulmeve të mundshme shtyu autoritetet të zbraznin “Champs-Élysée”-në dy orë përpara nisjes së paradës, së bashku me sheshin më të madh të Parisit, “Place de la Concorde”. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka qenë “nder i madh” për të, për të përfaqësuar SHBA-në në Paradën e Ditës së Bastilles në Paris.  Dita Bastille është festë kombëtare në Francë, ndërsa këtë vit ka përkuar edhe me 100-vjetorin e hyrjes së SHBA-së në Luftën e Parë Botërore.  Në një postim në Twitter, Trump tha se parada e trupave amerikane dhe franceze në Paris ka qenë “madhështore”.  Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në anën tjetër se SHBA-në dhe Francën “nuk do t’i ndajë kurrë asgjë”. “Prania e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe e bashkëshortes së tij janë shenjë e një miqësie që ka vazhduar me kalimin e kohës. Dua t’i falënderoj ata, dua t’i falënderoj Shtetet e Bashkuara për zgjedhjen që kanë bërë 100 vjet më parë”, tha Macron. Trump dhe Zonja e Parë, Melania, kanë qëndruar dy ditë në Paris. Të enjten, Trump dhe Macron kanë zhvilluar një takim zyrtar, gjatë të cilit është folur për luftën kundër terrorizmit, marrëveshjen për klimën e të tjera.

Advertisements