Breaking News

Zarif: Shtetet e Bashkuara duhet të rishikojnë qëndrimet e tyre ndaj marrëveshjes bërthamore

Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike të Iranit, duke thënë se programi gjithëpërfshirës i veprimit është një marrëveshje ndërkombëtare, theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të rishikojnë qëndrimet e tyre mbi këtë marrëveshje ndërkombëtare.

Muhamed Xhavad Zarif kur arriti në Nju Jork, në lidhje me vendimin e qeverisë së Trump për të rikonfirmuar angazhimin e Iranit në marrëveshjen bërthamore gazetarëve u tha: “Marrëveshja bërthamore është një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërkombëtare e arritur pas disa vite dialogu dhe bashkëbisedime. Ne presim që të gjitha palët të zbatojnë angazhimet e tyre, mirëpo fatkeqësisht deri më sot kemi vënë re se Amerika ka ndjekur politika të padrejta dhe ka krijuar kushte që Irani të mos përfitojë nga marrëveshja ashtu siç pritet. Ne jemi të mendimit se krerët amerikanë duhet të rishikojnë qëndrimet e tyre kundrejt marrëveshjes sepse qëndrimet aktuale nuk ndihmojnë në vazhdimin e kësaj marrëveshjeje. Ndër të tjera ministri i jashtëm iranian tha se një nga qëllimet e vizitës së tij në Nju Jork është pjesëmarrja në takimin e zhvillimit të qëndrueshëm në OKB. Sa i përket çështjes së zhvillimit, ministri Zarif tha se Irani në bazë të bindjeve të tij kulturore dhe fetare dhe në bazë të diskutimeve aktuale për çështjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në kuadër të 17 qëllimeve zhvilluese në këtë mijëvjeçar, ka hartuar programe për të cilat e sheh të nevojshme të informojë vendet dhe Bashkësinë Ndërkombëtare. Shefi i diplomacisë iraniane tha se në kuadër të vizitës në Nju Jork do të mbajë takime me qendra, institucione dhe organe të ndryshme dhe me ndikim në opinionin publik me qëllim që të informojë mbi shkaqet e trazirave në lindjen e mesme dhe mbi ato vende që janë përgjegjës për nxitjen e vendeve të rajonit që të konfrontohen me njëri-tjetrin. Sa i përket marrëveshjes mes Rusisë, Jordanisë dhe Amerikës për vendosjen e armëpushimit në jugperëndim të Sirisë dhe rreth qëndrimit të Iranit ndaj kësaj marrëveshjeje, ministri Zarif tha: Irani gjithmonë ka kërkuar fundin e konflikteve dhe ruajtjen e solidaritetit në luftën kundër terrorizmit dhe grupeve terroriste si ISIS dhe fronti Nusra me qëllim që t’i jepet fund trazirave dhe krizave në rajon. Tani të gjitha përpjekjet tona janë përqendruar në zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit të Astanasë që u arrit në bashkëpunim me Rusinë dhe Turqinë me qëllim që armëpushimit të zbatohet në të gjithë Sirinë dhe të krijohen kushtet për dërgimin e ndihmave humanitare për popullin sirian”.

Advertisements