Breaking News

VMRO-ja njeh legjitimitetin e Talat Xhaferit

Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë njoftuar kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi për formimin e grupeve parlamentare. Në njoftimin me shkresë në të cilin potencohet se opozitarja VMRO-DPMNE ka formuar 10 grupe parlamentare, partia e ish kryeministrit Nikolla Gruevskit shkresën e ka drejtuar deri tek Kryetari i Kuvendit, duke e njohur kështu Talat Xhaferin si kryetar ligjvënësi të cilin deri më tani e akuzonin për kryerje funksioni pa legjitimitet. Formimi i 10 grupeve parlamentare ndodh për herë të parë në historikun e ligjvënësit të Maqedonisë. VMRO-ja ka përcaktuar edhe emrat e koordinatorëve dhe zëvendës-koordinatorëve, ndërsa përbërjet e grupeve parlamentare Xhaferi i lexoi në vazhdimin e seancës së sotme plenare duke e uruar njëkohësisht VMRO-DPMNE-në për njoftimin e dërguar në adresë të kryeparlamentarit.

VMRO-DPMNE-ja formimin e 10 grupeve e bazon në nenin 33 të Rregullores së punës së Kuvendit. Sipas nenit në fjalë, një grup parlamentare duhet të përbëhet nga të paktën 5 deputetë përfshi këtu edhe koordinatorin e grupit dhe dy zëvendësit e tij.

Veprimi i tillë i VMRO-DPMNE-së sipas deputetit të kësaj partie Ilija Dimovski ka për qëllim shfrytëzimin e sa më shumë fjalimeve procedurale, replikave dhe kërkesave për pauza gjatë seancave apo në punën e Komisioneve parlamentare.

Mekanizmat e 10 grupeve parlamentare i mundësojnë 10 koordinatorëve të marrin të drejtë fjale në procedurale nga 15 minuta, më pas të shfrytëzojnë replikat 3 minutëshe, kundër-replikat 1 minutëshe si dhe të kërkojnë pauza 1 orëshe. Përveç koordinatorëve të drejtën e fjalës së tyre mund ta shfrytëzojnë zëvendës-koordinatori.

Rregullorja:

10 koordinatorët e 10 grupeve kanë të drejtën e fjalës me kohëzgjatje prej 15 minutash.

Koordinatorët mund të shfrytëzojnë të drejtën e replikës me kohëzgjatje prej 3 minutash.

Koordinatorët mund të shfrytëzojnë të drejtën e kundër-replikës me kohëzgjatje prej 1 minute.

Koordinatorët kanë të drejtë të kërkojnë pushim për koordinim me grupin.

Me këtë pritet që për çdo seancë plenare, pavarësisht rendit të ditës të paktën 10 deputet të VMRO-DPMNE-së të paraqiten për fjalë, më pas kolegët e tyre nga e njëjta parti por grup tjetër parlamentare të shfrytëzojnë të drejtën e replikës dhe më pas edhe vetë folësit paraprak të kërkojnë kundër-replikë.  Ndonëse VMRO-DPMNE-ja këtë e arsyeton me faktin për të parandaluar vendimet e dëmshme të shumicës ndaj interesave shtetërore, kjo nënkupton që asnjë pikë e rendit të ditës të mos mund të përfundojë me një seancë të vetme plenare.

Advertisements