Breaking News

Thaçi e Vuçiç flasin për fazën e re të dialogut dhe pajtimin

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç kanë rënë dakord gjatë takimit të zhvilluar të hënën në Bruksel, se do të nisin me punën për fazën e re të dialogut që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federika Mogherini.

Thaçi e Vuçiç janë pajtuar po ashtu që ekipet punuese të nisin përgatitjet për këtë çështje. Thaçi e Vuçiç kanë theksuar edhe rëndësinë që ka zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Në takimin tre palësh jemi pajtuar që të ketë një fillim përgatitor për fazën e re të negociatave në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që do të çonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes vendeve dhe popujve tanë”, – ka deklaruar presidenti Thaçi. Kjo fazë e re e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin mes dy popujve tanë do të jetë në të mirën e dy vendeve. Do të mbyllet kapitulli i errët i së kaluarës dhe do të hapet një perspektivë e sigurt për të ardhmen evropiane të vendeve tona dhe të rajonit”, ka shtuar presidenti Thaçi. Grupet punuese apo profesionale, sipas Thaçit do të punojnë për shfaqjen e ideve për përgatitjen e fazës së re të dialogut. Shpresoj dhe besoj që normalizimi dhe pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve është i mundur dhe do të arrihet”, ka thënë Thaçi. Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se mbeten edhe një muaj e gjysmë që të përgatitet faza e re e dialogut. Nuk ka dyshim që dialogu do të vazhdojë në Bruksel, por jo vetëm dialogu që merret me temat e caktuara, por do të kemi edhe dialog substancial rreth asaj se si i shohim ne marrëdhëniet pas 1, 2 apo 5 viteve”, ka deklaruar Vuçiç. Një fazë e tillë e dialogut dhe temat që do të hapen, sipas Vuçiçit e shtron nevojën që për këto çështje të flitet edhe brenda Serbisë, edhe brenda Kosovës. Mogherini, në anën tjetër, ka ritheksuar rëndësinë që Bashkimi Evropian i kushton integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.Fillimisht, ajo ka biseduar ndaras me Thaçin dhe Vuçiqin, në takimet që kanë zgjatur nga 30 minuta dhe më pastaj ka organizuar edhe takimin e përbashkët me të dy presidentët. Mogherini, pas takimit ka shkruar në Twitter se është pajtuar me dy presidentët që të nisë një fazë e re e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Takimet në nivelin politik të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, janë një dimension i ri i dialogut, i cili kryesisht është zhvilluar në nivelin e kryeministrave.

Advertisements