Breaking News

Ruhani: Marrëdhëniet mes Iranit dhe Katarit, në favor të paqes dhe sigurisë në rajon

Presidenti iranian Hasan Ruhani deklaroi se politika e Republikës Islamike bazohet në forcimin e marrëdhënieve me Katarin, duke theksuar se lidhjet vëllazërore dhe miqësore të Teheranit dhe Dohas do të jenë të dobishme për vendet dhe popujt e rajonit.

Në një bisedë telefonike të dielën me emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, Ruhani tha se qeveria dhe kombi iranian do të qëndrojnë pranë Katarit. Ai shtoi se Irani kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm me Katarin dhe theksoi rëndësinë e përdorimit të kapaciteteve të mëdha dypalëshe për të forcuar më tej marrëdhëniet. “Ndihma e Iranit për ekonominë e Katarit dhe zgjerimi i lidhjeve, veçanërisht midis sektorëve privatë të të dy vendeve, janë ndër qëllimet tona të përbashkëta” tha presidenti i RII. Presidenti iranian shtoi se Republika Islamike dëshiron sundimin e moderimit dhe racionalitetit në marrëdhëniet midis vendeve në rajon dhe shprehu shpresën se çështjet ekzistuese rajonale do të zgjidheshin përmes dialogut. “Ne besojmë se nëse ka një mosmarrëveshje midis vendeve të rajonit, presioni, kërcënimi apo sanksionet nuk janë një mënyrë e përshtatshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet”, tha Ruhani. Ai shprehu gatishmërinë e Republikës Islamike për të kontribuar dhe për të ndihmuar krijimin e paqes në rajon. Ruhani kritikoi më tej si të papranueshme embargon e udhëhequr nga Arabia Saudite kundër Katarit, duke thënë: “Hapësira ajrore, toka dhe ujërat territoriale të vendit tonë do të jenë gjithmonë të hapura për Katarin si një vend vëlla, mik dhe fqinj”. Presidenti iranian, gjithashtu theksoi rëndësinë e unitetit dhe integritetit në botën myslimane dhe tha se Teherani dhe Doha pa dyshim mund të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në këtë fushë. Arabia Saudite, Bahrejni, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërprenë lidhjet me Katarin më 5 qershor, duke akuzuar zyrtarisht Dohën për mbështetjen e “terrorizmit” dhe destabilizimin e rajonit. Katari, megjithatë, i ka cilësuar si të pajustifikuara vendimet e marra nga disa vende arabe, duke thënë se ato bazohen në pretendime dhe supozime të rreme. Në përpjekjet e tyre të dukshme për të siguruar mbështetjen e SHBA dhe të Izraelit, Riadi, Manama, Kajro dhe Abu Dhabi pezulluan të gjithë trafikun tokësor, ajror dhe detar me Katarin, dëbuan diplomatët e tij dhe urdhëruan qytetarët e Katarit të largoheshin nga vendet e tyre. Emiri i Katarit, nga ana e tij, i përcolli urimet e tij presidentit iranian me rastin e Fitr Bajramit , i cili shënon fundin e muajit të bekuar të Ramazanit. Al Thani vlerësoi mbështetjen e Iranit për vendin e tij dhe shprehu gatishmërinë e Dohës për të forcuar bashkëpunimin me Teheranin dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve në botën muslimane. Aktualisht, Irani dhe Turqia po sigurojnë furnizimet e nevojshme ushqimore të Katarit.

Advertisements