Breaking News

Ahmeti: Miratimi i ligjit për gjuhën shqipe, çështje kohe

Deklarata e partive politike shqiptare nuk është pjesë e historisë, tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti duke paralajmëruar se pas festës së Bajramit partitë politike shqiptare do të takohen sërish, ndërsa siguroi se së shpejti në Kuvend do të gjendet edhe ligj i ri për gjuhën shqipe.

Çështja e gjuhës është pjesë e marrëveshjes për koalicionim. Është çështje kohe se kur do të jetë në procedurë parlamentare për votim.

Pra do të ndodh para zgjedhjeve lokale?

Mos më kapni për fjale, është pjesë e agjendës.

Në intervistën për emisionin e sontëm “Rruga Drejt” Ahmeti foli edhe për ndarjen e resorëve me parterinë e koalicionit. Ai tha se çështja e prokurorit publik mbetet e hapur, por se nuk është koha që Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim të drejtohet nga shqiptar. Ahmeti pranoi se ky mandat qeveritar është i vështirë për shkak të numrave, por tha se do ia del falë ndihmës së madhe nga komuniteti ndërkombëtar. Ndër tjerash Ahmeti tha se vendimi për të koalicionuar me LSDM-në nuk ishte i imponuar dhe se për këtë vetë e kishte njoftuar kreun e VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Pas çka Gruevski i ishte zotuar për hakmarrje.

Tha ju si BDI si ma keni bërë në 2006-2007 po me atë monedhë do t’ua kthej. Dmth që dihet si kanë qenë reagimet e BDI-së në periudhën 2006-07 ku padrejtësisht mbeti jashtë përfaqësimit të elektoratit shqiptar, të vullnetit të shumicës shqiptare në Republikën e Maqedonisë.

Pra në një farë forme ju kërcënoi se do të hakmerret?

Jo nuk është kërcënim, është një paralajmërim: si ma keni bërë ashtu do t’ua bëj.

Ahmeti hodhi poshtë mundësitë për ndonjë marrëveshje të fshehtë politike me PSP-në, duke iu kundër-përgjigjur akuzave se PSP-ja ka qasje selektive ndaj funksionarëve të BDI-së. Madje Ahmeti tha se nuk do të amnistojë e as mbrojë funksionarët e partisë së tij, në rast se të njëjtët e kanë keqpërdorur besimin e dhënë. Njëherësh ai hodhi poshtë akuzat për koalicionim sekret me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi me arsyetimin se temë diskutimi e takimit të fundit ishte Marrëveshja e Përzhinos.

Advertisements