Breaking News

Nisin negociatat për “Brexit”

Kryenegociatorët e BE-së dhe Britanisë për “Brexit”-in nisën bisedimet të hënën, duke nënvizuar nevojën për të sqaruar menjëherë paqartësitë në proces, e gjithashtu qëndrimet konstruktive të tyre për arritjen e një marrëveshjeje që do të jetë në të mirë të të gjithëve.

Duke folur në ditën e parë të bisedimeve në Komisionin Europian, ministri britanik për “Brexit”-in, David Davis tha se Londra donte një marrëdhënie të thellë dhe të veçantë me BE-në pas divorcit, e se ai do t’i drejtonte bisedimet me tone konstruktive. “Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë, ndaj, ndërsa na presin padyshim kohë sfiduese në negociata, ne do të bëjmë gjithçka mundemi për të garantuar një marrëveshje që do të jetë në interesin më të mirë të qytetarëve”, tha David Davis, Sekretari britanik për “Brexit”. Davis shtoi se tonet e negociatave do të ishin pozitive dhe se qëllimi final ishte ndërtimi i një partneriteti të fortë. Ndërkohë, kryenegociatori i BE-së Michel Barnier tha se, shpresonte që bisedimet – që fillojnë thuajse një vit pas referendumit për daljen nga BE-ja, – do të zhvilloheshin mbi bazën e një axhende të qartë. “Objektivi ynë është i qartë. Ne duhet të luftojmë fillimisht pasiguritë e shkaktuara nga Brexit, kryesisht për qytetarët, por edhe për politikat e BE-së dhe pasojat mbi kufijtë, veçanërisht për Irlandën. Shpresoj që sot të mund të identifikojmë prioritetet dhe afatet kohore”, tha Michel Barnier, negociatori i BE-së për “Brexit”-in. Zyrtarë nga të dyja palët kanë ulur pritshmëritë për atë që mund të arrihet, të paktën në një ditë. Diplomatët e BE-së shpresojnë se ky takim i parë dhe samiti i së enjtes e së premtes, ku do të jetë e pranishme edhe Theresa May, si pjesëmarrëse e jo si negociatore, mund të përmirësojnë atmosferën pas tensioneve të fillimit. Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se dyert e BE-së do të mbeten të hapura për Britaninë gjatë negociatave për “Brexit”-in që filluan sot. Në disa komente, që u konsideruan si shenjë inkurajimi nga kundërshtarët e një “Brexit”-t të ashpër, se ka vend për kompromis, presidenti i ri francez tha se vendimi për t’u larguar nga BE-ja mund të rishikohet, nëse Britania e Madhe e do këtë. Duke folur në kopshtet e Pallatit “Elysee” në Paris, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Theresa May, Macron bëri të qartë se respektonte vendimin sovran të popullit britanik. Sidoqoftë, ai shtoi se “derisa negociatat të arrijnë një përfundim, ka gjithnjë një mundësi për të rihapur dyert”. Macron sugjeroi gjithashtu se koha është thelbësore, duke thënë se “ndërsa negociatat vazhdojnë, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ketë kthim prapa”. Udhëheqësit europianë druhen se qeveria e Theresa Mayt është tepër e brishtë për të negociuar kushte të zbatueshme për të lënë unionin, gjë që do të thotë se diskutimet që nisën zyrtarisht të hënën mund të përfundojnë me një “Brexit” brutal, pra pa asnjë marrëveshje. Zyrtarët kanë nisur në mblidhen në Bruksel, por duket se nisja e shumëpritur e bisedimeve është lënë në hije nga kaosi politik në Londër. Pala europiane druhet se qeveria britanike do të luftojë që të ruajë pozicionin e saj, cilido qoftë ky, pa u shpërbërë. Pa mbështetjen e partisë irlandezo-veriore “DUP”, May është e kufizuar në negociata dhe ka shqetësime se mbështetja e tyre vjen me kushte.

Advertisements