Breaking News

Helmohen qindra ushtarë turq

Rreth 590 ushtarë në kazermën e ushtrisë turke në Manisa janë përballur me probleme me të vjella pas darkës së ngrënë të shtunën, nga të cilët 372 ushtarë janë dërguar në spital, raporton Anadolu Agency.

Ministri turk i Mbrojtjes, Fikri Ishık, mëngjesin e sotëm deklaroi se 372 ushtarë janë në spital për trajtim të mëtejshëm, por se në mesin e tyre nuk ka rrezik jete. I shoqëruar nga komandanti i forcave tokësore të ushtrisë, gjenerali Zeki Çollak, ministri Işık të dielën vizitoi ushtarë në spital. Prefekti i provincës Manisa, Mustafa Hakan Guvencer, deklaroi se akoma nuk mund të thonë saktë nëse ushtarët janë helmuar nga ushqimi meqë siç tha, po kryhet një hetim për të zbardhur shkaqet. “Nuk mund të them asgjë zyrtarisht për shkaqet e problemit me shëndetin e ushtarëve të cilat u hospitalizuan pas darkës së ngrënë. Të gjitha detajet do të dihen pas hetimit laboratorik”, tha ai. Policia turke nisi një hetim për rastin duke arrestuar të paktën 19 njerëz, përfshirë edhe drejtorin e kompanisë e cila ka përgatitur dhe ka shërbyer darkën për një total prej 5.470 trupa në Manisa.

Advertisements