Breaking News

Mijallkov merret në pyetje nga PSP-ja

Një minutë para orës 13, ish drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijallkov u paraqit për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale ku qëndroi dy orë të plota. Ai mes tjerash ka kërkuar t’i shqyrtojë dëshmitë ndaj tij për disa raste. Pasi doli nuk u prononcua për mediat, edhe pse gjatë hyrjes tha se pasi të dëshmojë, do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.

Prej sot avokati i ri i Sasho Mijallkovit është ish prokurori publik, Lupço Shvërgovski me të cilin e zëvendësoi avokatin e më hershëm Nikolla Dodevskin. Mijallkov dhe avokati i tij kanë shqyrtuar provat në rastet “Target”, “Thesari”, dhe “Tortura”. Në lëndën “Target” të dyshuar janë 10 persona. Mes tyre është Mijallkovi dhe ish ndihmësi i tij Goran Grujevski. Prokuroria Speciale ata i ngarkon se pa urdhër gjyqësor, në mënyrë ilegale, kanë përgjuar politikanë, biznesmenë dhe gazetarë, ndërsa cak i tyre kanë qenë edhe ish ministrat e VMRO-DPMNE-së. Sipas dëshmive që i siguroi Janeva, të gjithë ata kanë qenë të përgjuar ilegalisht. Nga viti 2008, deri në vitin 2015, përmes tre sistemeve në policinë sekret janë përgjuar mbi 5000 numra telefonikë. Rasti tjetër “Thesari” ka të bëj me furnizimin e pajisjes për përgjim nga Britania e Madhe përmes kompanisë FINZI. Në këtë rast dyshohen katër persona. Ata ngarkohen për dëmtim eventual të buxhetit prej mbi 850 mijë euro. Udhëheqës i kompanisë FINZI ishte Kosta Kërpaç i cili kreu vetëvrasje në banesën e tij. Rasti i tretë “Tortura” ka të bëj me mënyrën e arrestimit të Lube Boshkovskit në vitin 2011, një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në të, dyshohen shtatë persona. Sipas provave të Speciales dhe bisedave të përgjuara, Sasho Miljallkov për hakmarrje dhe motive politike ka porositur arrestimin e dhunshëm të Boshkovskit. Përveç për këtë tre raste, jozyrtarisht Alsat M mëson se Mijallkov në Prokurorinë Speciale është pyetur edhe për rivotimin në komunën e Strumicës për zgjedhjet lokale të vitit 2013. LSDM-ja përmes “bombave” ka publikuar bisedë të zhvilluar mes Sasho Mijallkovit dhe kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi. Sipas LSDM-së, të dy janë marrë vesh që anëtari i PDSH-së në KSHZ Bedredin Ibraimi, të zhbëjë votimin në Strumicë, ku për kryetar komune në garë ishte kryeministri aktual Zoran Zaev. Për këtë rast tashmë në PSP ishte Menduh Thaçi.

Advertisements