Breaking News

Kontesti i ri arab në një këndvështrim

Presidenti amerikan duke reaguar ndaj kontestit të fundit mes vendeve arabe, ka konfirmuar qëndrimet e mbajtura nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj.

Qëndrimi i mbajtur nga presidenti Donald Trump në këtë çështje, ngjalli reagimin e shumë funksionarëve amerikanë dhe evropianë. Donald Trump në një mesazh të tij në Twitter, vlerësoi vendimin e vendeve arabe të gjirit Persik për ndërprerjen e marrëdhënieve të tyre me Katarin. Donald Trump akuzoi Katarin për sponsorizimin e terrorizmit në nivelet më të larta, në një përshkallëzim të jashtëzakonshëm të konfliktit diplomatik me një prej partnerëve më të rëndësishëm ushtarak të Amerikës në Lindjen e Mesme. Duke folur nga Shtëpia e Bardhë të premten, numri një i Uashingtonit tha se kishte ardhur koha për t’i bërë presion Katarit t’i japë fund financimeve dhe ideologjisë së tij ekstremistë. “Shteti i Katarit, fatkeqësisht ka qenë historikisht financues i terrorizmit në një nivel tepër të lartë. Vendosa së bashku me sekretarin e shtetit Rex Tillerson, gjeneralët tanë dhe ushtarakët se ka ardhur koha t’i kërkojmë Katarit t’i japë fund këtyre financimeve dhe gjithashtu ideologjisë ekstremiste”, tha Trump. Komentet e tij shënojnë ndërhyrjen më të drejtëpërdrejtë lidhur me krizën që ka përfshirë vendet e Gjirit që prej së hënës, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj në rajon nisën një fushatë të koordinuar diplomatike dhe ekonomike për izolimin e Katarit. Më herët gjatë javës, kreu i Shtëpisë së Bardhë mori meritat për bllokadën në një seri postimesh në “Twitter”.

Të premten, Trump tha se liderët arabë, të cilët i kishte takuar në Arabinë Saudite muajin e kaluar, i kishin kërkuar të sfidonte Katarin, të cilin e akuzojnë për mbështetje të terrorizmit dhe aleancë me Iranin.  Ndërhyrja e presidentit amerikan vjen pasi Arabia Saudite dhe aleatët e saj sanksionuan disa organizata dhe 59 individë të akuzuar për lidhje me militantët islamikë, shumica e të cilëve nga Katari ose të lidhur me gadishullin e vogël, por shumë të pasur me naftë. Lindsy Graham senator me influencë në Amerikë duke kritikuar indirekt deklaratat e presidnetit në Tëitter ka thënë se Katari nuk duhet izoluar. Katari me gjithë gabimet e tij ka ndihmuar shumë Amerikën. Është e mira që ne në këtë fushë të ndërmjetësojmë. Ne kemi më shumë se 10 mijë forca në Katar. Nga Trump kërkojmë të mos përsërisë gabimet e së kaluarës për largimin e shpejtë të trupave ushtarake. Kjo do të shkatërrojë programin për çrrënjosjen e ISIS, tha në fjalën e tij senatori Graham. Ndërsa Gjermania ka dalë në mbrojtje të Katarit. Sigmar Gabriel përpara takimit me homologun e tij saudit, ka akuzuar Arabinë Saudite se ka traumatizuar rajonin. Ai duke folur indirekt mbi politikat rajonale të Donald Trump tha se traumatizimi i situatës në një rajon që vuan nga kriza është faktor tepër i rrezikshëm. Ai gjithashtu kritikoi blerjen e armatimeve amerikanë nga Arabia Saudite dhe tha se kontrata e madhe e armatimeve e Donald Trump me krerët Saudite, shkakton një garë armatimesh në rajon. Këto armatime janë të gabuara dhe kjo politikë me padyshim nuk pranohet nga Gjermania. Më herët ministri i jashtëm i Katarit shkoi në Francë dhe Angli për të diskutuar mbi marrëdhëniet me vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik. Sipas një njoftimi të agjencisë Anatoli të lajmeve, Muhamed Bin Abdul’rahman Al Thani, ministër i jashtëm i Katarit ka pasur takime të rëndësishme me Boris Johnson ministër i jashtëm i Anglisë dhe me Zhan Ive Ledurian ministër i jashtëm i Francës. Ai gjithashtu ka zhvilluar një takim me homologun e tij rus në Moskë, takim i cili vjen pas ndërprerjes së lidhjeve diplomatike prej fqinjëve të vet. Të dy ministrat ranë dakord që kriza duhet të mbetet një çështje e brendshme.  Muhamed Bin Abdul’rahman Al Thani tha se i shpjegoi ministrit të jashtë rus për atë që ai e quajti një mbështetje ndaj krizës së fundit në botën arabe dhe pikëpamjet e Dohas mbi çështjen. Në mbështetje të Katarit është edhe Turqia. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i ka bërë thirrje Katarit dhe fqinjëve të tij që deri para përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit t’i japin fund krizës së rëndë diplomatike, e cila ka tronditur Gjirin Persik. Këto komente ai i bëri gjatë takimit me shefin e diplomacisë së Bahrejnit. Muaji Ramazan përfundon më 25 qershor. Erdogani dhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, vendi i të cilëve mbështet Katarin, biseduan rreth një orë e gjysmë në Stamboll me sheikun Kaled ben Ahmed Kalif, shef i diplomacisë së Bahrejnit, aleat i Arabisë Saudite. Gjiri Persik nga e hëna ndodhet në krizë serioze pasi Bahrejn, Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar për mbështetje ndaj terrorizmit dhe lidhje me Iranin, rivalin rajonal të Arabisë Saudite. Autoritetet e Katarit kanë hedhur poshtë akuzat. Tri shtetet e Gjirit Persik kanë mbyllur kufijtë tokësor, detar dhe ajror me Katarin. Ndërmjetësim më herët ka paralajmëruar edhe Rusia, ndërsa Uashingtoni ka bërë thirrje për ulje të tensioneve. Turqia ka marrëdhënie të veçanta me Katarin dhe vazhdon të zhvillojë edhe marrëdhënie me mbretërinë saudite. Parlamenti turk kësaj jave miratoi dërgimin e trupave turke në bazën ushtarake në Katar, i cili është i pasur me gaz.

Advertisements