Breaking News

Merkel ka “vizion shprese” për Ballkanin Perëndimor

Ballkani Perëndimor është vënë sërish në fokusin e Angela Merkel.

Pas takimit me kryeministrin bullgar, Boyko Borissov, Kancelarja gjermane theksoi rëndësinë e “Procesit të Berlinit”. Merkel tha se pret takimin e radhës në Trieste, ku do të jenë mundësitë për të biseduar për “një vizion të shpresës për të gjithë rajonin”. “Me këtë do të theksojmë edhe njëherë mbështetjen tonë për këto vende, gjatë procesit të integrimit të tyre në BE, pasi shihet qartë se ka interesim edhe nga shtete të tjera që duan të rrisin ndikimin e tyre në Ballkan”, tha Merkel. Kryeministri bullgar vuri në dukje rëndësinë e madhe që ka integrimi i këtyre vendeve në BE dhe se pozicioni gjeografik i Bullgarisë jep mundësi për të bërë shumë, që Ballkani të ecë përpara. “Dëshiroj shumë që të ketë një perspektivë të qartë edhe për njeriun e thjeshtë në rrugë. Nuk flas për elitat, por për qytetarin normal të Ballkanit, që qytetari i thjeshtë ta dijë se do të jetë një ditë anëtar i bllokut, do të jetë njeri i lirë e që do të mund t’i gëzojë të gjitha të drejtat që sjell anëtarësimi në Bashkimin Europian”, tha Borissov. Kancelarja gjermane i mëshoi rëndësisë së bashkëpunimit sa më të mirë mes vendeve të Europës, sidomos pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe situatës së komplikuar gjeopolitike.

Advertisements