Breaking News

Protesta përballë Shtëpisë së Bardhë kundër vendimit për daljen nga traktati i Parisit

Një grup ambientalistësh në Amerikë, janë mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për daljen nga traktati i Parisit.

Në të njëjtën kohë Xheri Braun, Xhei Insli dhe Andreu Komo guvernatorë të Kalifornisë, Uashingtonit dhe Nju Jorkut që kanë 1/5 e ekonomisë amerikane, kanë deklaruar se nuk do të zbatojnë marrëveshjen e Parisit edhe me vendimin e marrë nga Trump. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi këtë të enjte vendimin e tij për t’i tërhequr Shtetet e Bashkuara nga akordi i Parisit për ndryshimet klimatike, një hap i madh ky që përmbush një nga premtimet e fushatës së tij presidenciale, por ndërkohë dëmton seriozisht përpjekjet globale për të frenuar ngrohjen globale. Vendimi kundërshton kështu përpjekjet mbarë botërore për të ushtruar presion ndaj Trump që të qëndronte pjesë e marrëveshjes, e cila është nënshkruar nga 195 vende të botës. Udhëheqës të huaj, drejtues ekzekutivë biznesesh, e madje edhe vajza e Trump lobuan me forcë që ai t’i qëndronte marrëveshjes së Parisit, por duket se të gjithë kanë humbur përballë konservatorëve, që pretendojnë se plani është tejet i keq për Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, për të aktivizuar procedurat zyrtare të tërheqjes, Trump do të ndezë një proces të gjatë që nuk do të mund të përfundojë përpara nëntorit të vitit 2020, muajin kur ai pritet të rikandidojë për president, duke siguruar kështu se çështja do të bëhet një temë e rëndësishme debati në garën e ardhshme presidenciale. E teksa lajmi për tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja e Parisit doli në media qysh ditën e mërkurë, udhëheqës biznesi dhe krerë shtetesh të huaja nisën ta quanin vendimin si një braktisje e mjerueshme e lidershipit amerikan. Ndaj vendimit të Trump kanë shprehur keqardhje edhe Emanuel Macron president i Francës dhe Paolo Xhentiloni kryeministër i Italisë.

Advertisements