Breaking News

Tërnava: Ekstremizmin e sollën organizatat e huaja

Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, i ka akuzuar disa organizata të huaja për sjelljen e ekstremizmit fetar në vend.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se shkaku i neglizhencës dhe papërgjegjësisë së disa institucioneve shtetërore disa organizatave të huaja dhe disa individëve u është lejuar të zhvillojnë aktivitete fetare në vend pavarësisht prej kundërshtimit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Sipas tij, për 13 vjet BIK-u i ka ftuar institucionet vendore të shikojnë se kush po hyn në Kosovë dhe çfarë aktiviteti po zhvillon. Sipas Tërnavës, roli i BIK-ut për zvogëlimin e ekstremizmit ka qenë i madh. Myftiu Tërnava u ka bërë thirrje politikanëve në Kosovë të bëjnë një fushatë të qetë zgjedhore në këtë muaj të Ramazanit dhe të mos fyejnë dhe shajnë njëri-tjetrin. Ndërsa ka edhe një kërkesë për politikën në Shqipëri: “Do t’i ftoja institucionet shqiptare që mos t’i mbajnë zgjedhjet në ditën e festës së Bajramit, por ta shtyjnë këtë datë edhe për një javë”.

Epoka e re”: Z. Tërnava, jemi në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit. Sa është përgatitur Bashkësia Islame për t’i përmbushur nevojat e besimtarëve gjatë këtij muaji?

Tërnava: Së pari, më lejoni që nëpërmjet gazetës suaj të gjithë besimtarëve të besimit islam, brenda trojeve etnike shqiptare dhe atyre që jetojnë në mërgatë, t’ua uroj këtë muaj të shenjtë, duke e lutur Zotin xh. sh. që në familjet e tyre të mbretërojnë shëndeti, paqja, harmonia dhe gatishmëria për një prosperitet sa më të mirë të të gjithëve. Besimtarët myslimanë të Kosovës, edhe qytetarët e besimeve të tjera, edhe ky Ramazan i gjen më mirë se dje, por gjithnjë me shpresën se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja. Kjo neve na motivon për punë të mëtutjeshme, sepse Kosova po ecën me hapa të sigurt nga ardhmëria e saj e sigurt.

Bashkësia Islame e Kosovës, edhe bashkësitë e tjera fetare, kanë një fushëveprim tepër me rëndësi në shoqërinë tonë, ku gjithë së bashku japim një kontribut të përgjithshëm për shtytjen përpara të të gjitha proceseve në Kosovë. Bashkësia Islame e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë pengesa më e vogël për të arritur atë që ka synuar populli shqiptar në Kosovë. Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë përgatitjet e nevojshme duke filluar prej pastrimit të xhamive, pastaj kemi mbajtur mbledhje me imamët e republikës dhe, po ashtu, mbledhje me administratën e të gjithë këshillave që të jemi sa më të gatshëm për këtë muaj. Ky muaj është i veçantë, prandaj edhe angazhimi dhe aktiviteti duhet të jenë të veçantë, ngaqë në këtë muaj kemi edhe gjëra të veçanta siç janë syfyri, iftari, namazi i teravive e shumë gjëra të tjera.

 Epoka e re”: Cila është vlera e këtij muaji për një besimtar mysliman?

Tërnava: Ramazani është një dhuratë vjetore që vjen nga i madhi Zot për besimtarët e besimit islam. Ne duhet që këtë dhuratë, këtë mysafir, ta presim ashtu si i ka hije një besimtari, kudo që ata jetojnë dhe veprojnë. Zoti xh.sh përmes këtij muaji të shenjtë na sjell begati të shumta dhe na ofron neve besimtarëve mundësinë që ne edhe një herë brenda këtij muaji ta freskojmë shpirtin, mendjen dhe zemrën tonë me adhurim më të sinqertë ndaj Zotit, me një përkushtim edhe më të madh ndaj Zotit, si dhe me një gatishmëri të mjaftueshme që, së paku, gjatë këtij muaji të jemi më tepër nën mëshirën e të madhit Zot. Ramazani është muaji i “Kur’an”-it.

Epoka e re”: Edhe ky ramazan po ndërtimin e xhamisë së madhe. Çfarë po ndodh me ndërtimin e xhamisë?

Tërnava: Dua t’ua shpjegoj të gjithë besimtarëve se Bashkësia Islame ka një kohë të gjatë që ka bërë të gjitha përgatitjet e mundshme për të filluar punët në ndërtimin e xhamisë. Kemi bërë projektin i cili është dorëzuar gati që dy vjet në Komunën e Prishtinës. Po ashtu, e kemi gjetur edhe donacionin për ta ndërtuar këtë xhami. Kështu që, presim ta marrin lejen për fillimin e punimeve. Arsyeja pse ne nuk kanë filluar punimet deri tash është vetëm për shkak të disa vonesave të cilat vijnë nga Komuna e Prishtinës. Besoj se brenda një kohe shumë të shkurtër, ndoshta edhe gjatë muajit të Ramazanit, Kuvendi Komunal i Prishtinës do ta ndajë lejen për fillimin e ndërtimit të xhamisë së madhe. Pra, Bashkësia Islame nuk e ka asnjë përgjegjësi për këtë çështje, sepse tash gjithçka varet nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Epoka e re”: Si bashkësi keni pasur kërkesa edhe ndaj institucioneve qendrore?

Tërnava: Kërkesat tona janë të shumta në raport me institucionet qendrore, për të cilat shumë herë kam folur. Opinioni i Kosovës duhet ta di se Bashkësia Islame e Kosovës ka dy mijë punëtorë. Kjo do të thotë se dy mijë familje varen nga Bashkësia Islame. Të gjitha këto të ardhura ne i sigurojmë nga ndihmat vullnetare të popullit brenda Kosovës. Dua të theksoj se këtu kemi vështirësi të mëdha në sigurimin e këtyre mjeteve. Gjatë një muaji 700 deri në 800 mijë euro na duhen paga për t’u dhënë punëtorëve tanë. Mesatarja e kësaj page është 350 euro. Në këtë drejtim Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndajë buxhet për të gjitha bashkësitë fetare. Mendoj se jemi i vetmi vend, ku nuk ndahet buxhet për bashkësitë fetare, ngaqë ne kemi mbetur nën mëshirën e kohës. Duke u nisur nga gjendja ekonomike që kemi, është vështirë të sigurohen këto paga nga besimtarët, të cilët i falënderoj nga zemra, sepse me të vërtetë ata e bëjnë të pamundurën që Bashkësia Islame e Kosovës të mbijetojë.

 Epoka e re”: Z. Tërnava, cila ka qenë përgjigjja e Qeverisë në këtë kërkesë?

Tërnava: Ne disa herë u kemi shkruar të gjitha institucioneve për këtë çështje dhe nuk kemi kërkuar ndonjë shumë të madhe. Për të gjitha harxhimet e Bashkësisë Islame kemi kërkuar 10 milionë euro në vit. Mendoj se kjo për buxhetin e Kosovës është pak. Dua të përmendi se vetëm nga një marrëveshje mirëkuptimi që kemi nënshkruar me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për raportimin e të vdekurve, Qeveria ka konfirmuar se vetëm brenda gjashtë muajve nga raporti i këtyre të dhënave prej Bashkësisë Islame janë kursyer rreth 10 milionë euro. Kjo ka ardhur falë Bashkësisë Islame të Kosovës. Në bazë të kësaj marrëveshje, për çdo person që ka ndërruar jetë ne kemi dërguar të dhënat në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kështu që, mendoj se Qeveria e ka obligim të ndajë buxhet për BIK-un dhe bashkësitë e tjera fetare sepse edhe ne jemi qytetarë të Kosovës dhe paguajmë taksa. Pavarësisht prej kërkesave tona, institucionet nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje. Kjo çështje është diskutuar edhe në Kuvend të Kosovës, por deri më tani nuk kemi pasur ndonjë përgjigje. Kemi premtime nga një prej kandidatëve që tashmë është nominuar për kryeministër që, në rast se fiton në zgjedhjet e 11 qershorit, do të ndajë buxhet për bashkësitë fetare në Kosovë.

 Epoka e re”: Nga cili kandidat?

Tërnava: Tani nuk mund ta bëj publik emrin. Besoj se ai është njeri që e mban fjalën. E kemi një administratë fenomenale dhe me ato financa që kemi, punojmë në mënyrë transparente. Të ardhurat tona i publikojmë edhe në revistën tonë mujore. Buxheti ynë gjatë vitit është shumë simbolik.

 Epoka e re”: Sa e keni buxhetin vjetor?

Tërnava: Kryesia e Bashkësisë Islame të hyra vjetore ka rreth një milion euro, ndërsa anëtarësia nga dy euro për person mblidhet në nivele komunale. Pastaj, ne aprovojmë buxhetin dhe këshillat i ndajnë pagat për imamët dhe nëpunësit e tyre në nivele komunale.

 Epoka e re”: Këtë muaj pritet të mbahen edhe zgjedhjet nacionale. Mund të jetë kjo ngarkesë për besimtarët?

Tërnava: Mendoj ndryshe për këtë çështje. Këtu mendoj se Zoti nuk e ngarkon njeriun me atë që nuk mund ta bartë. Besimtarët agjërimi nuk i rëndon, ata janë vetëm më të fuqishëm shpirtërisht gjatë agjërimit. Sivjet ka rastisur që zgjedhjet të mbahen në këtë muaj dhe nuk ka diçka të keqe. Sigurisht se jam kundër asaj që pritet të ndodhë në Shqipëri, që ditën e Festës së Bajramit të mbahen zgjedhjet. Madje unë përmes gazetës suaj do t’i ftoja institucionet shqiptare ta shtyjnë ditën e zgjedhjeve për një javë, sepse kiameti nuk bëhet. Nuk duhet t’ua prishim njerëzve festën. Mirëpo, që të ketë fushatë zgjedhore në Ramazan është gjë normale.

 Epoka e re”: Meqenëse fushata zgjedhore do të bëhet për dhjetë ditë në Ramazan, do të duhej që politikanët të jenë më të kujdesshëm?

Tërnava: Politikanët duhet të jenë çdoherë të kujdesshëm, jo vetëm gjatë muajit të Ramazanit. Prandaj, i ftoj të ruhen nga fyerjet e ndryshme, nga sharjet dhe klasifikimet e panevojshme të njerëzve. Duhet të bëhet një fushatë civilizuese dhe perëndimore. Pra, le të fitojë ai që është më i miri. Ne të gjithë jemi vëllezër të një kombi, të një gjaku dhe duhet që të gjithë bashkërisht ta japim kontributin tonë në mënyrë që vendin tonë ta bëjmë sa më të zhvilluar dhe më të fuqishëm.

 Epoka e re”: Të dhënat e fundit tregojnë për ulje të ekstremizmit në Kosovë. Cili ka qenë roli i Bashkësisë Islame në uljen e këtij fenomeni negativ?

Tërnava: Roli i Bashkësisë Islame në uljen e këtij fenomeni ka qenë kyç jo vetëm tash, por në vazhdimësi. Bashkësia Islame e Kosovës gjithherë ka qenë gati për ta luftuar dhe do ta luftojë edhe në të ardhmen këtë fenomen negativ. E ndiej veten mirë që jam i pari myfti në Evropë që kam qenë kundër shkuarjes në Siri. Nuk e kam përkrahur shkuarjen atje edhe atëherë kur politika jonë dhe ajo perëndimore e kanë përkrahur opozitën e moderuar në Siri. Ne e shihnim se nuk është në rregull të shkohet në Siri ngaqë atje po ndodhte vëllavrasje. Ne jemi njerëz dhe Allahu thotë: “O ju njerëz, unë ju kam krijuar prej një mashkulli dhe një femre, ju kam bërë popuj e fise të ndryshme që ju të njiheni mes vete”. Pra, ai na ka krijuar që të njihemi e jo të luftojmë.

 Epoka e re”: Megjithatë, ka pasur një numër të madh të qytetarëve të Kosovës që kanë shkuar atje. Sa ka përgjegjësi Bashkësia Islame për këtë?

Tërnava: Ne kemi pasur bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet e vendit për bashkërendim të punëve. Tani puna që kemi bërë po jep rezultate. Ne si të vetëm nuk kishim mundësi ta luajmë rolin që duhet ta luajnë institucionet e vendit. Tash e 13 vjet shqetësimi im ka qenë se kush po hyn e po del në Kosovë. I kam ftuar të gjitha institucionet të shikojnë se kush po hyn në Kosovë, sepse nuk ka qenë detyrë e Bashkësisë Islame të shikojë se kush po del nga vendi. Ardhja e organizatave të ndryshme në Kosovë ka ndikuar që një pjesë e të rinjve tanë të ndikohen nga persona dhe nga shoqata të cilat kanë ardhur dhe vepruar në Kosovë jashtë Bashkësisë Islame. Madje atyre u është mundësuar aktivitet fetar në vend, ani pse kemi thënë se Bashkësia Islame e Kosovës është i vetmi institucion që është i thirrur të ushtrojë aktivitete fetare. Më në fund u vërtetua se aktiviteti i këtyre shoqatave dhe këtyre njerëzve ka shkuar në dëm të Kosovës. Pra, fara e ekstremizmit në Kosovë ka ardhur përmes këtyre njerëzve dhe organizatave të cilave u është lejuar aktiviteti në Kosovë. ‘Kur’an’-i dhe feja islame nuk kanë të bëjnë asgjë me ekstremizmin. Ky fenomen është në dëm të islamit dhe të ardhmes së fesë. Kjo që ndodhi në Mançester nuk mund të quhet ndryshe pos krim. Ata që bëjnë veprime të tilla nuk janë myslimanë. Ata nuk meritojnë të jenë njerëz. Ai që vret një njeri të pafajshëm, sipas ‘Kur’an’-it, është sikur ta vrasësh gjithë njerëzimin. Askush nuk guxon të vritet në emër të fesë. I ftoj qytetarët e Kosovës, kudo që gjenden, të jenë syhapur, sepse për interesa të ngushta ndoshta dikush mund të nxitë edhe në Kosovë veprime të tilla.

 Epoka e re”: Bashkësia Islame e Kosovës jo rrallëherë ka lobuar tek vendet e botës islame për njohjen e shtetit të Kosovës. Së fundi keni bërë ndonjë aktivitet në këtë drejtim?

Tërnava: Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë një punë të madhe rreth njohjeve, edhe pse nuk kemi praktikuar të dalim publikisht dhe të lavdërohemi. Ne ia kemi borxh këtë vendit tonë. Kemi lobuar nëpër shumë vende, jemi takuar me mbretër të ndryshëm, kryetarë shtetesh, ministra dhe personalitete të rëndësishme. Rasti i fundit ishe vizita në Kosovë e sekretarit të përgjithshëm të Ligës Botërore Islame, i cili, kur është kthyer në Arabinë Saudite, ka shkruar një artikull të mrekullueshëm për Kosovën. Ndoshta as ne si shqiptar nuk kishim ditur ta shkruajmë më mirë atë artikull, duke i prekur në palcë të gjitha ato shtete islame të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke kërkuar që sa më shpejt ta njohin shtetin e Kosovës edhe ato vende. Besoj se është bërë një lëvizje e duhur dhe ne në të ardhmen do të vazhdojmë ta japim kontributin tonë.

Advertisements