Breaking News

Macron: Armët kimike vijë e kuqe e Francës në Siri

Presidenti i Francës ka thënë se armët kimike dhe përdorimi i tyre është vijë e kuqe e Parisit për Sirinë.

Emanuel Macron tha se përdorimi i armëve kimike në Siri është shkelje e vijës së kuqe dhe në këtë rast Franca do të ndërhyjë me veprime hakmarrëse. Këtë deklaratë presidenti francez e bëri pas takimit me homologun e tij rus. Presidenti francez Emanuel Macron e ka cilësuar një bashkëbisedim të sinqertë, atë që zhvilloi me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në përballjen e tyre të parë kokë më kokë. Sipas kreut të Elizesë, mosmarrëveshjet mes 2 vendeve kishin qenë në fokus të takimit të mbajtur në pallatin e Versajës, por ai shtoi se ishte i interesuar të bashkëpunonte me Moskën lidhur me Sirinë, në betejën kundër terrorizmit. Ndërsa numri një i Kremlinit tha se dëshironte të forconte lidhjet ekonomike me Francën, pas kufizimeve të viteve të fundit. Të dy liderët përcollën sinjale për çeljen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet ruso-franceze, të cilat kanë qenë nën një presion të konsiderueshem kohët e fundit.  Tensionet mes tyre janë rritur për shkak të konflikteve në Ukrainë dhe Siri, ku Franca dhe Rusia mbështesin palë të kundërta. Gjithashtu ekipi elektoral i Macron pati akuzuar agjentët rusë për sulme kibernetike kundër tyre, gjatë fushatës zgjedhore për presidencën, kur Putin dukej se mbështeste nacionalisten Marin Le Pen. Lideri i ri francez ka folur në të kaluarën për rëndësinë e komunikimit me Rusinë, edhe pse sipas tij nuk duhej hequr dorë nga gjuha e ashpër. Edhe gjatë samitit të G7-ës në Siçili, ai e vuri theksin tek rëndësia e bisedimeve me Moskën, pasi siç tha, ekzistojnë një sërë çështjesh ndërkombëtare që nuk mund të zgjidhen pa një dialog të fortë me të.

Advertisements