Breaking News

Xhaferi: Qeveria e Maqedonisë do të prezantohet javën e ardhshme

Qeveria e re e Maqedonisë, e përbërë nga Lidhja Social Demokrate e Zoran Zaevit dhe partitë shqiptare, do të dalë javën e ardhshme, duke e përfunduar ngecjen e gjatë, thotë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

“Pres që brenda një apo dy ditësh ta marr programin e këtij kabineti dhe pastaj ta caktoj seancën e parlamentit për javën e ardhshme”, tha Xhaferi në një intervistë për agjencinë AFP. Maqedonia i ka kaluar pothuajse dy vjet të krizës së zgjatur politike e ndonjëherë edhe të dhunshme, para se përfundimisht të bëhet transferi i pushtetit tek opozita shumëvjeçare, që tash duket e pashmangshme. Këtë javë, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ia ka dhënë liderit të socialdemokratëve, Zoran Zaev, mandatin për formimine qeverisë së re, e cila mbështetet edhe nga partitë shqiptare. Partia e Zaevit dhe partitë aleate shqiptare i kanë fituar 67 vende në Kuvendin e Maqedonisë me 120 deputetë, nga zgjedhjet e mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar. Xhaferi i tha AFP-së se qeveria e re duhet të kërkoj mbështetje të gjërë parlamentare për ndryshimet, siç është ai për bërjen e shqipes gjuhë të dytë zyrtare, që është kërkesë kryesore e partive të pakicës shqiptare. “Nuk mjafton vetëm të kihet shumica e thjeshtë”, tha Xhaferi, meqë reformat kushtetuese kërkojnë mbështetje të dy të tretës së numrit të deputetëve. Talat Xhaferi aktualisht ishte ballafaquar me kritika nga konservatorët për shkak se në tavolinën e tij të punës në kuvend e kishte vendosur një flamur të vogël shqiptar. Ai i ka hedhur poshtë këto kritika duke thënë se flamuri është “simbol kombëtar i secilit shqiptar kudo që ai mund të jetë”.

 

Advertisements