Breaking News

Edhe Egjipti iu bashkua luftës mediale kundër Katarit!

Sfera e luftës mediale të vendeve arabe kundër Katarit u zgjerua edhe më shumë dhe Egjipti duke bllokuar transmetimin e programeve të rrjetit televiziv Al Xhazira të Katarit, në mënyrë zyrtare iu bashkua kësaj lufte.

Faqja informative Pars Today duke cituar Russia Today në gjuhën arabe, njofton se sfera e luftës mediale mes Katarit dhe disa vendeve arabe të Gjirit Persik për shkak të deklaratave të emirit të Katarit, është zgjeruar edhe më shumë. Katari të mërkurën deklaroi se agjencia informative zyrtare e këtij vendi ishte hakuar si pasojë e sulmeve kibernetike dhe në këtë faqe është publikuar një deklaratë duke cituar Sheik Tamim bin Hamd Ale Thani, emirin e Katarit, në të cilën kritikohet ashpër Amerika dhe lavdërohet Irani, Hezbullahu i Libanit, Hamasi dhe lëvizja Vëllazëria Myslimane. Thuhet se emiri i Katarit këtë deklaratë e ka bërë gjatë një ceremonie për ndarjen e medaljeve për ushtarakët e këtij vendi. Qeveria e Katarit thotë se deklarata e publikuar në këtë faqe informative ishte fals dhe Sheik Tamim bin Hamd Ale Thani nuk ka bërë një deklaratë të tillë. Burimet informative bëjnë të ditur se pavarësisht përgënjeshtrimit që ka bërë qeveria e Katarit, që nga orët e para të ditës së mërkurë agjencitë e lajmeve të Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe vazhdojnë të publikojnë këtë deklaratë të Sheik Tamim bin Hamd Ale Thani. Njëkohësisht me këtë, këto dy vende kanë bllokuar edhe transmetimin e programeve të kanalit televiziv Al Xhazira dhe disa faqe informative të tjera të Katarit. Të mërkurën në mbrëmje një burim i sigurisë në Egjipt ka thënë se janë bllokuar 21 faqe informative elektronike në Egjipt për shkak të përmbajtjes së tyre në mbështetje ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit si dhe për shkak të publikimit të gënjeshtrave. Sipas këtij burimi, tensioni i ri i krijuar mes Katarit dhe tre vendeve arabe të Gjirit Persik tregon një shtim të mundshëm të mosmarrëveshjeve mes këtyre vendeve në prapaskenë.

Advertisements