Breaking News

Pirs: Të respektohen proceset demokratike

Të respektohen proceset demokratike, qeveria e re të formohet sa më parë dhe e njëjta të bashkëpunojë ngushtë me opozitën, porositi drejtorja politike e Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, Karen Pirs. Pirs theksoi se vetëm kështu vendit do t’i hapet rruga realizimit të reformave të dobishme për qytetarët e vendit. Pirs gjatë qëndrimit të saj në shkup ka takuar liderët e partive politike dhe kryetarin e ri të kuvendit të cilit i ka ofruar mbështetje të plotë.

Jam këtu sepse mbështesim demokracinë e Maqedonisë, i respektojmë qytetarët e Maqedonisë dhe mbështesim integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Ne presim nga të gjithë politikanët dhe parlamentarët e Maqedonisë t’i ndjekin proceset demokratike në këtë moment të rëndësishëm – deklaroi Karen Pirs, Drejtore Politike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev menjëherë pas takimit me Pirs në emër të liderëve të shumicës parlamentare shprehu optimizëm se Presidenti Gjorge Ivanov së shpejti do t’ia dorëzojë mandatin për formim të qeverisë.

Logjika na thotë se 10 ditë për kabinetin e Presidentit Ivanov do të numërohen pas publikimit në gazetën zyrtare, kështu informojnë, kjo do të ndodhë me gjasë të hënën, nëse ndodh. Brenda afatit të këtyre 10 ditëve, ditën e dytë ose të tretë unë do të kërkoj takim në emër të gjithë liderëve të partive politike që qëndrojnë pas shumicës. Do ta vizitoja Ivanovin që edhe një herë të vërtetoj garancinë për gjithë atë që është e nevojshme, kjo me qëllim që të mos humben më shumë ditë për Maqedoninë – deklaroi Zoran Zaev, lider i LSDM-së.

Pirs përveç takimit me liderët e shumicës parlamentare zhvilloi takim edhe me kreun e VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Ndërkaq nuk mundi të realizoj takim me presidentin Gjorge Ivanov, pasi ky i fundit ndodhet për vizitë private në Turqi.

Advertisements