Breaking News

Ekspertët: “Gjendja e luftës” është e pamundur

Ekspertët e sigurisë e shohin si të pakuptimtë shpalljen e gjendjes së luftës, pasi sipas tyre Maqedonia nuk ka armik e as që është e kërcënuar nga ndonjë shtet tjetër. Eksperti i sigurisë, Lubomir Gjureski vlerëson se nuk mund të përjashtohet mundësia e inskenimit të ndonjë konflikti qytetar, madje edhe ndër-shtetëror pasi sipas tij vendi ndodhet në situatë kur zyrtarë të lartë në pushtet janë thellë të zhytur në krim të organizuar dhe janë në gjendje të bëjnë çmos për ta mbuluar të njëjtin.

Është gjendje në të vërtetë shqetësuese, duke pasur parasysh se vlerësimet tona të sigurisë dhe informatat tona tregojnë rrezik solid nga mundësia për shkaktim të një konflikti ndër qytetar në Maqedoni, me mundësi për t’u shndërruar në konflikt ndër-shtetëror, që është rrezik edhe më i madh. Dhe kur i gjithë ky kaos të krijohet, nga ana tjetër pamundësia të mblidhen 81 deputetë në Kuvend, i mbetet mundësi kushtetuese presidentit Gjorge Ivanov të shpallë gjendje lufte – tha Lubomir Gjureski, ekspert i sigurisë.

Eksperti, Bllagoja Markovski vlerëson se Platforma e partive shqiptare e cila për VMRO-PDMNE-në është krijuar në Tiranë nuk cenon sovranitetin e Maqedonisë, andaj sipas tij nëse Ivanov do të shpallte gjendje lufte komandantët e ushtrisë kanë të drejtë të mos i binden.

Në situatën aktuale në Maqedoni nuk ekziston asnjë mundësi për shpallje të asnjë lloj gjendjeje të luftës, të jashtëzakonshme a të krizës, pasi nuk kemi dy palë në konflikt. Ajo që një incident i izoluar mund të shkaktojë do të ishte vetëm nga ana e atyre që e mbështesin pushtetin e deritanishëm dhe në atë aspekt është e paarsyeshme të udhëhiqet ndonjë gjendje tjetër, përveç situatës aktuale tani – tha Bllagoja Markovski, ekspert i sigurisë.

Sipas Markovskit, nëse presidenti Ivanov do të shpallte gjendje lufte pas një konflikti të iniciuar qëllimisht do të shkelte rëndë normat ndërkombëtare, për çka domosdoshmërish do të përgjigjej para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Advertisements