Breaking News

Plani i BE për dënimin e Britanisë për shkak të Brexit

Ligjvënësit e Bashkimit Europian ia kanë hequr barrën shefit negociator të BE-së për procedurat e divorcit me Britaninë, duke mbështetur thirrjen e tij për negociata të ndara në faza, ndryshe nga dëshira e Londrës, si dhe duke kërkuar prej Britanisë të paguajë miliardat e detyrimeve që BE-ja mendon se ishulli i detyrohet.

Parlamenti Europian, që ka edhe fuqinë e vetos në fund të negociatave dyvjeçare, përcaktoi një negociim të vështirë për Londrën. Ligjvënësit votuan 516 pro dhe 133 kundër ndaj rezolutës, ndërsa 50 eurodeputetë abstenuan. Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier i quajti bisedimet paralele për shkëputjen e Britanisë nga BE-ja dhe marrëdhënien e ardhshme tregtare mes tyre si një “qasje tepër e rrezikshme”, të cilën është i vendosur ta shmangë. Barnier u tha ligjvënësve të BE-së në Strasburg se “për të pasur sukses, ne kemi nevojë për të kundërtën: të kushtëzojmë fazën e parë të negociatave vetëm për arritjen e marrëveshjes mbi parimet e shkëputjes”. Kryeministrja britanike, Theresa May kërkoi gjatë javës së kaluar negociata paralele për shkëputjen dhe marrëdhënien tregtare, ndërkohë që presidenti i Këshillit Europian dhe ligjvënësit e tjerë kryesorë argumentuan kundër kësaj kërkese. Bisedimet për “Brexit” pritet të nisin në fund të majit, sapo udhërrëfyesi për negociim i 27 vendeve anëtare të përmbyllet në një mandat për Barnier. Britania këmbënguli sërish se dëshiron të diskutojë të ardhmen sa më shpejt të jetë e mundur. “Interesi më i mirë për të dyja palët në këto negociata do të sigurohet duke u përfshirë në diskutimet teknike mbi marrëdhënien tonë të ardhshme sa më shpejt të jetë e mundur, brenda dy viteve që kemi në dispozicion”, tha zv.ministri britanik për “Brexit”, Robin Ëalker. Rezoluta e PE-së theksoi gjithashtu se kombet e BE-së nuk duhet të nisin asnjë marrëveshje dypalëshe me Britaninë, derisa të arrihet marrëveshja përfundimtare për shkëputjen, e thanë se Britania duhet të paguajë faturën e saj të kripur, që mund të shkojë deri në 60 miliardë dollarë. Nigel Farage, një prej mbështetësve kryesorë të “Brexit”-it, tha se Britania nuk duhet të mbahet peng nga Parlamenti Europian. “Ju po silleni si mafia dhe mendoni se ne jemi pengu juaj. E në fakt nuk jemi, por jemi të lirë të largohemi. Kemi lirinë për t’u larguar”, tha Farage. Në reagimin e mëpasshëm, ai tha se nuk donte të shprehej me termin “mafia”, por me termin “gangsterë”, për të mos trazuar ndjeshmërinë e italianëve. Të dyja palët kanë arritur një marrëveshje kuadër për fatin e 3 milionë shtetasve europiane në Britani dhe rreth një milion britanikëve rezidentë në vendet e BE-së, mbi të gjitha. “E mirëpres faktin se PE dhe Këshilli kanë përcaktuar pikërisht këtë si prioritet, edhe për nga perspektiva e BE-së”, tha Ëalker.

Advertisements