Breaking News

Turqia në prag të referendumit

Turqia zhvillon të dielën një referendum kushtetues, ku votuesit do të pyeten nëse dëshirojnë apo jo të kalojnë nga sistemi i tanishëm parlamentar në një presidencë të fuqishme me kompetenca ekzekutive.

Turqit janë të ndarë për këtë çështje: Kritikët e akuzojnë presidentin Rexhep Tajip Erdogan se po përpiqet të krijojë një diktaturë, ndërsa mbështetësit e tij thonë se ndryshimet e mundshme përfaqësojnë vullnetin e popullit. Sondazhet tregojnë se rezultati është i paparashikueshëm, prandaj të dyja palët po zhvillojnë një fushatë të ethshme. Edhe pse debatet mbi ndryshimet kushtetuese që do të votohen nesër (16 prill) në Turqi janë lënë nën hije nga mediat ndërkombëtare, të cilët janë fokusuar dhe merren vetëm me personalitetin e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, ndryshimet e sugjeruara kërkojnë që të zgjidhin problemet kronike administrative të Turqisë të cilat e kanë mbajtur peng vendin nga progresi për dekada të tëra. Gjatë 15 viteve të fundit, me ardhjen në pushtet të partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) të Presidentit aktual R. T. Erdogan, Turqia ka kaluar nëpërmjet një periudhë të ndryshimeve thelbësore. Mes shumë reformave thelbësore që janë realizuar, mes tjerash, kyç ka qenë rregullimi i raporteve mes ushtrisë dhe asaj civile. Ushtria i ka dominuar të gjitha shtresat e jetës politike, por me implementimin e dhjetëra reformave nëpërmjet disa zgjedhjeve të lira, normat demokratike u institucionalizuan, dhe kështu kapja e institucioneve demokratike të Turqisë  nga ushtria dukshëm është zbehur. Nga kjo praktikë e mbrapshtë vetëm disa mbetje kanë ngelur, si vendi në Gjykatën Supreme që është e paprekshme, por me amendamentet e reja (nëse kalon) do të anulohet. Para së gjithash qytetarët turq shtrojnë pyetjen, a duan kushtetutë e cila është dizajnuar nga ushtria pas grushtshtetit të vitit 1980 dhe a preferojnë që përfaqësuesit e përzgjedhur të tyre të funksionojnë dhe menaxhojnë brenda kësaj kornize? Por mënyra e zhvillimit të fushatës ka ngritur pikëpyetje. Në shumë lagje të Stambollit, ashtu si edhe në pjesën tjetër të vendit, vështirë të gjesh zona pa flamurë dhe postera fushate. Shumë mitingje fushate të “jo”-së janë ndaluar nga autoritetet shtetërore, duke përfshirë edhe Stambollin. Sipas një studimi, 90 për qind e mbulimit nga mediat ishte për fushatën “po”. Partia pro-kurde, HDP, grupi i dytë më i madh opozitar i Turqisë dhe një nga kundërshtaret më të zjarrta të reformës kushtetuese, është përballur me vështirësitë më të mëdha. Pavarësisht pengesave të tilla, rezultati i referendumit është i paparashikueshëm. Disa vëzhgues thonë se kjo ndoshta vjen pjesërisht, ngaqë vështirësitë me të cilat përballet fushata “jo” e ka forcuar argumentin e tyre se demokracia turke është në rrezik.

Advertisements