Breaking News

Irani blen 20 avionë nga kompania ATR

Kompania kombëtare ajrore e Iranit Iran Air ka nënshkruar sot një kontratë me kompaninë italo-franceze ATR për të blerë më shumë se 20 avionë në kuadër të planeve të qeverisë iraniane për rinovimin e flotës së aviacionit civil të vendit.

Marrëveshja përfshin blerjen e 20 avionëve të tipit ATR 72-600s, një avion me dy helika që mund të transportojë 70 pasagjerë. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i kompanisë Iran Air, Farhad Parvaresh, dhe drejtori i kompanisë ATR CEO, Kristian Scherer. Parvaresh u citua nga mediat iraniane të ketë thënë se të paktën katër aeroplanë ATR do t’i dorëzohen kompanisë Iran Air brenda muajit të ardhshëm, duke shtuar se pesë të tjerë gjithashtu do të dorëzohen deri në fund të vitit 2017. Ai theksoi se dorëzimi i të gjithë avionëve do të përfundojë deri në fund të vitit 2018. z. Parvaresh ka shtuar se kompania e tij ka mundësi të blejë edhe 20 aeroplanë të tjerë nga kompania italo-franceze. Parvaresh nuk bëri të ditur vlerën e marrëveshjes, por raportet thonë se kjo mund të jetë me vlerë 536 milionë $. Gjiganti amerikan i aviacionit Boeing ka bërë tashmë një shitje prej 16.6 miliardë $ kompanisë Iran Air dhe gjithashtu ka nënshkruar një marrëveshje 3 miliardë dollarësh për të shitur 30 aeroplanë Boeing MAX 737 kompanisë ajrore iraniane Aseman Airlines. Rivali më i madh evropian i Boeing, kompania Airbus, ka nënshkruar një marrëveshje me Iranin me vlerë rreth 25 miliardë $ për t’i shitur Iranit 80 aeroplanë. Airbus deri tani i ka dorëzuar tre aeroplanë Iranit dhe më shumë dërgesa pritet të bëhen në të ardhmen e afërt. Gjithashtu, Boeing mund të kryejë dorëzimin e avionit të parë Iranit brenda këtij muaji.

 

Advertisements