Breaking News

Kasemi: Programi raketor i Iranit nuk ka lidhje me marrëveshjen bërthamore

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit tha se programi raketor i Iranit nuk ka lidhje me marrëveshjen bërthamore dhe theksoi se Irani është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që ka për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për të ngritur nivelin e paqes dhe stabilitetit rajonal.

Agjencia e lajmeve Fars njoftoi se Bahram Kasemi të mërkurën në reagim ndaj deklaratës së fundit të Grupit G-7 në Itali, deklaroi: “Natyra dhe mënyra e projektimit të raketave balistike të Republikës Islamike të Iranit është në atë formë që testimet raketore të Iranit nuk kanë kurrfarë kundërshtimi me rezolutën 2231 të KS të OKB”. Kasemi gjithashtu shtoi: “Sipas raporteve të ANEA, Irani deri më tani me precizitet dhe në mënyrë të plotë ka zbatuar të gjitha angazhimet e tij në kuadër të marrëveshjes bërthamore dhe në bazë të ligjeve, Irani pret që pala tjetër edhe në marrjen e qëndrimeve zyrtare politike edhe në veprim, të zbatojë angazhimet e veta si në heqjen e sanksioneve”. Vlen të theksohet se ministrat e punëve të jashtme të shtatë vendeve të botës të martën në deklaratën përfundimtare pas takimit dyditor në Itali, kanë vazhduar spekulimet kundër Republikës Islamike të Iranit dhe kanë shprehur shqetësim në lidhje me programin raketor të Iranit.

Advertisements