Breaking News

Ahmeti: Nuk shohë dritë në fund të tunelit

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti shuan shpresat për zgjidhjen e shpejtë të krizës politike. Pas takimit me krerët e komunave të drejtuara nga integristët, Ahmeti tha se nuk sheh dritë në fund të tunelit. Ai kërkoi që të gjithë liderët e partive të kontribuojnë për zgjidhjen e krizës.

Po bëhen përpjekje maksimale për ta tejkaluar krizën por kjo nuk do varet njëanshëm por duhet vullnet nga të gjitha palët. Të gjithë duhet të ndihmojnë për ta tejkaluar krizën sepse janë bllokuar të gjitha institucionet e shtetit. Aktualisht nuk shoh ndonjë dritë në fund të tunelit, por le të shpresojmë në të ardhmen të gjithë që palët të reflektojnë – deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Duke komentuar kërcënimet e partnerit të deritanishëm qeveritar Nikolla Gruevskit, Ahmeti tha se të njëjtat nuk ndihmojnë vendin që të kapërcejë situatën e krijuar pas zgjedhjeve.

Unë nuk mendoj që kërcënimet dhe shantazhet janë mjet për zgjidhjen e krizës. Gjitha palët duhet të respektojnë vullnetin e shumicës parlamentare – tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Ahmeti tha se çështja e largimit të ministrave të BDI-së nga Qeveria më nuk diskutohet pasi një veprim i tillë sipas tij nuk prodhon efekt juridik. Krerët e komunave nga radhët e BDI-së kërkuan nga ministrja e pushtetit lokal Shirete Elezi që në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë të diskutohet për atë se si duhet të veprojnë krerët e komunave pas 14 majit.

Qeveria duhet të sjellë vendim se si do veprojnë krerët e komunave pas 14 majit, përndryshe organi kryesor është kuvendi i RM-së, nëse do fillojë të funksionojë kuvendi të zgjidhet kryetari menjëherë do zgjidhet edhe Qeveria dhe kreu i kuvendit do i shpall zgjedhjet lokale se kur do mbahen ato – u shpreh Nevzat Bejta, Nënkryear i BDI-së.

Pas skadimit të afatit për shpalljen e zgjedhjeve lokale dhe bllokadës së Kuvendit, nuk dihet se kur do të shpallen të njëjtat. VMRO DPMNE-ja kërkon që bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato parlamentaret. Partitë tjera LSDM, Besa dhe Aleanca për shqiptarët kërkojnë zhbllokimin e Kuvendit dhe më pas caktimin e datës për zgjedhjet lokale.

Advertisements