Breaking News

Lavrov: Sulmi raketor i Amerikës në Siri, në favor të terroristëve

Ministri i punëve të jashtme të Rusisë ka kritikuar veprimin ushtarak të Amerikës në Siri dhe e ka cilësuar atë në favor të terroristëve.

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka diskutuar me sekretarin amerikan të shtetit Rex Tillerson për sulmet me raketa në bazën ushtarake të Sirisë. Gjatë një bisede telefonike mes tyre, Lavrov i ka thënë homologut të tij amerikan se pretendimet e Uashingtonit duke akuzuar ushtrinë siriane se ka përdorur armë kimike në Idlib, janë të pasakta dhe jo bindëse. Një hetim i plotë dhe i paanshëm duhet të nisë pas sulmit të pretenduar me armë kimike, për të cilin SHBA thotë se ishte dhe arsyeja e sulmit me raketa, theksoi ndër të tjera Lavrov në bisedë telefonike me shefin e DASH. Ministri i jashtëm i Rusisë gjithashtu ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me Sigmar Gabriel, homologun e tij gjerman dhe ka theksuar se pretendimet e SHBA-ve kundër qeverisë së Sirisë për përdorimin e armëve kimike, janë të pabaza. Vlen të theksohet se të premten në mëngjes me pretekst se Siria ka përdorur armëve kimike në sulmin në Khan Shejkhun, Amerika ka lëshuar me dhjetëra raketa në drejtim të bazës ajrore të forcave siriane Shayrat në provincën Homs të Sirisë. Qeveria e Sirisë në kuadër të rezolutës 2118 të KS të OKB, lëndët kimike të saj i ka dorëzuar Organizatës për Ndalimin e Përdorimit të Armëve Kimike dhe ka treguar një bashkëpunim konstruktiv në këtë drejtim.

Advertisements