Breaking News

Spiunazh turk në Gjermani

Shërbimet sekrete dhe shoqatat turke spiunojnë dhe u bëjnë presion qytetarëve, që konsiderohen korrekt në Gjermani. Kësaj duhet t’i jepet fund dhe shteti gjerman duhet të reagojë prerazi, mendon Fabian von der Mark.

Nëse gjithçka do të bëhej sipas përfytyrimeve të presidentit turk Erdogan, atëherë Gjermania do të lipsej që të vepronte në këtë mënyrë: Shefi i BND-së (Shërbimi Federal Informativ) duhej të kishte marrë një listë prej homologut të tij turk. E në bazë të saj do të duhej që shërbimet gjermane të përndiqnin e ndëshkonin 300 nënshtetas turq – kuptohet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet turke. Akuza, që njerëzit kanë mbështetur lëvizjen e predikuesit Fethullah Gülen, nuk ekziston në Gjermani. Lëvizja e Gülenit në Gjermani si dhe në mbarë BE-në nuk klasifikohet si shoqatë terroriste. Ndoshta turqve nuk u pëlqen kjo, por autoritetet gjermane pas një verifikimi kanë arritur në konkluzionin se simpatizantët e Gülenit nuk paraqesin rrezik. Problemi i dytë: Mënyra se si shërbimi i brendshëm sekret i Turqisë MIT (Millî İstihbarat Teşkilâtı) i ka marrë informacionet, përbën shkelje të të drejtave themelore të njerëzve, që jetojnë në Gjermani – pavarësisht se çfarë nënshtetësie ata kanë. Spiunët turq, që përgjojnë me aparate fotografike, i përkasin kategorisë së dytë të filmave me agjentë, por ata nuk kanë vend në rrugët e Gjermanisë. Gjermania tani për fat ka bërë të kundërtën e asaj, që pret Ankaraja: ajo i ka paralajmëruar qytetarët turq, se janë në shënjestër prej atdheut të tyre. Kjo është më e pakta, që mund të bënte spontanisht shteti gjerman. Njëkohësisht Gjermania duhet t’i kundërvihet me të gjithë forcën krijimit të një sistemi spiunësh në Gjermani, siç e dëshiron presidenti Erdogan.

Advertisements