Breaking News

Sot zgjidhet kryetari i Parlamentit të Maqedonisë

Sot (e hënë) pritet që në Kuvendin e Maqedonisë të zgjidhet përbërja e re e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime dhe të vazhdohet seanca konstituive e lënë përgjysmë më 30 dhjetor për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

VMRO-DPMNE-ja nuk ka dashur as sot të komentojë nëse do të mbështetë kandidatin e përfolur të shumicës së re parlamentare Talat Xhaferi ose do të propozojë emër të ri. Në rast obstruksionesh në zgjedhjet e kreut të Kuvendit, rregullorja parashikon që seanca për zgjedhjet e kryetarit të thirret nga 1/3 e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime ose me nismën e 20 deputetëve. Ish kryeministri Nikolla Gruevski këmbëngul në zgjedhje të reja së bashku me ato lokale. “Zgjedhjet e reja të cilat sado qofshin të pa dëshiruara nga LSDM-ja, nënkuptojnë zgjidhje të sigurt për dalje nga kriza. Ato do të jenë referendum i qytetarëve për të ardhmen e shtetit. Organizimi i tyre nuk do të ketë asnjë harxhim shtesë ose humbje tjetër, pasi që në këto kohë ishin paraparë edhe zgjedhjet lokale”, tha Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së. Por nga LSDM thonë se zgjedhjet e fundit treguan vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë dhe se referendumi i vërtetë ndodhi më 11 dhjetor. “67 deputetë të cilët i përfaqësojnë rreth 700 mijë qytetarë, presin që Kuvendi dhe Gjorge Ivanov të japin përgjegjësi për obligimet e tyre kushtetuese dhe të mundësojnë dhënien e mandatit. Nesër dhe ditëve në vijim presin qasje serioze të institucioneve të cilat duhet që patjetër të respektojnë vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe të mundësojnë zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe formimin e qeverisë së re”, thonë nga LSDM-ja. Nga ana tjetër nuk ka kurrfarë detajesh se kur pritet të publikohet dokumenti të cilin vetë Nikolla Gruevski e paralajmëroi kohë më parë si mënyra e vetme për zgjidhjen e ngërçit politik. VMRO tha shkurt se për dokumentin do të informohemi në kohë. Kohë më parë Gruevski tha se ishte cështje ditësh bërja publike e dokumentit.

Advertisements