Breaking News

Bildt: Një shkëndijë në Shkup mund ta ndezë Ballkanin

Diplomati suedez, Carl Bildt, i cili është njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, i ka kushtuar një analizë rajonit në fjalë.

Bild vlerëson se situata gjeopolitike në Ballkan nuk duhet të jetë një befasi pasi që rajoni vazhdimisht ka qenë i paqëndrueshëm, që nga ikja e perandorisë Ottomane në shekullin e kaluar, duke shtuar se pas kësaj periudhe në Ballkan u tentuan të krijohen shtete kombëtare moderne. Sipas tij, nacionalizmi vazhdimisht është përplasur me mozaikun e jetës civile në rajon, duke ndezur konfliktet njëri pas tjetrit.

Duke mos i lënë anash zhvillimet politike pas rënies së ish-Jugosllavisë, luftërat nga Kroacia e deri në Kosovë dhe krimet e rënda, si ai i Srebrenicës, Bild vlerëson se premtimi i BE-së në Samitin e Selanikit, më 2003, për ta futur tërë Ballkanin në BE, duket i vështirë për t’u mbajtur. Kjo, sipas tij, arsyetohet me faktin se me ardhjen e Jean-Claude Juncker në krye të Komisionit Evropian, u bë e ditur se nuk do të ketë zgjerim të BE-së, diçka që diplomati suedez e konsideron si shkatërrimtare.

Megjithëse Bildt nuk beson që do të ketë luftë në Ballkan, ripësëritja e pyetjes nëse do të ndodhë një gjë e këtillë ka filluar ta shqetësojë suedezin, pasi që në analizën e tij përmend fillimin e Luftës së Parë Botërore me vrasjen e Franz Ferdinand-it të Austrisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Për të angazhuarin e dikurshëm të BE-së dhe OKB-së në Bosnjë, rajoni sot është duke u bërë më i ndezshëm dhe një shkëndijë mund të ndizet, sipas tij, kësaj rradhe në Shkup.

Advertisements