Breaking News

Takimi i vendeve të Ballkanit perëndimor

Krerët e vendeve të Ballkanit perëndimor kanë organizuar një takim në Sarajevë të Bosnjës. Në këtë takim morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë. Komisionari i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn u bëri thirrje vendeve të Ballkanit që të mos luajnë me zjarrin, por të përfitojnë nga ripërtëritja e angazhimit të BE-së ndaj rajonit.

Këto komente, ai i bëri në Samitin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë. Sipas Hahn vendet e bllokut janë të përkushtuara për integrimin e Ballkanit, por  rajoni nuk duhet të lejojë pengesa në përparimin drejt këtij qëllimi. Komisioneri për Zgjerimin tha se takimi, ku morën pjesë kryeministrat e Shqipërisë, Bonje-Hercegovinës, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, u zhvillua në një periudhë krizash të brendshme politike që po rrezikojnë të shkaktojnë tensione të rënda etnike. Në të njëjtën kohë, sipas tij shihen edhe ndërhyrje të pashembullta nga Lindja, ndërsa nuk është e qartë se cila është qasja amerikane ndaj Ballkanit. “Edhe njëherë i sigurova kryeministrat për seriozitetin dhe interesin e fuqishëm të Bashkimit Europian për të punuar në integrimin e mëtejshëm të rajonit, drejt anëtarësimit në të ardhmen të të gjitha vendeve”, ishin fjalët e Hahn, që mbështeti idetë e kryeministrave ballkanik për një treg të përbashkët rajonal, që do të shmangte pengesat e do të lejonte lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve. Kjo, siç thotë komisioneri, do të lejonte krijimin e mbi 80 mijë vendeve të punës deri në vitin 2025. Johannes Hahn paralajmëron se Ballkani vazhdon të jetë një rajon i paqëndrueshëm dhe me potecial relativisht të madh rreziku. “Nëse ndodh diçka, ne mund të përjetojmë një valë të madhe emigracioni, si përpara 20 vjetësh”, tha ai për “Deutche Ëelle”. Rrugët nga Ballani në BE janë të shkurtra. Por, pozitivja është se ky rajon ka potencial të madh rritjeje ekonomike dhe krijimin e një tregu të brendshëm të përbashkët. Komisioneri i Zgjerimit e sheh si rrugën e duhur për uljen e tensioneve. BE-ja ka bërë që të sigurohet paqja në kontinent, tha ai për “Deutche Ëelle”. Rajoni i vetëm ku Europa nuk është e sigurtë 100% për paqen është Ballkani, shtoi ai. “Procesi i Berlinit nuk është gjë tjetër veçse dyfishimi i idesë themeluese të BE. Përmes bashkëpunimit intensiv të largohet oreksi për shkatërrim. Këtu ka fusha të ndryshme bashkëpunimi. Transporti, ku thjesht me ndërtimin e autostradave vendet afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Po ashtu hekurudha. Këto çojnë në varësi të dyanshme. Dhe kur të kemi tregun e përbashkët, atëherë mund të ndiqen po këto qëllime, pra të ofrojmë një kontribut për paqëtimin, duke përgatitur paralelisht integrimin europian. Një perspektivë e shkurtër e afatgjatë”, tha Hahn. Rezistencë ndaj këtij propozimi ka bërë Mali i Zi dhe Kosova. Komisioneri i Zgjerimit sqaron se po bëhen të gjitha përpjekjet për t’i bindur edhe këto vende. “Varet nga ekipet tona që ta tregojnë gjatë përgatitjeve të Samitit të Triestes, se çfarë është në thelb tregu i përbashkët”, sqaron Hahn.  Zyrtari i lartë europian shpreson që edhe skeptikët ta kuptojnë se një lëvizje e tillë është në interesin e tyre. Nga vënia në realitet e këtij projekti, sipas tij, do të bëhet e mundur që edhe shtetet të cilat çalojnë, t’iu bashkangjiten më shpejt të tjerëve. Hahn përsëriti tezën se atraktiviteti ekonomik rritet me sigurinë e shtetit ligjor, ndërsa tërheqjen e vendeve të rajonit ndaj bllokut e konsideron në nivele të kënaqshme, pavarësisht rritjes së ndikimit të Rusisë dhe Turqisë.

Advertisements