Breaking News

Maqedonia në një udhëkryq!

Padyshim se situata aktuale politike në Maqedoni nuk është rezultat i zhvillimeve pasgjedhore në këtë vend, por është akumulim i shumë problemeve, përkatësisht vazhdimësi e problemeve nga e kaluara.

Njëra ndër ish republikat jugosllave që statusin juridik të shtetit të pavarur e ka fituar në vitin 1991, identitetin e vetë shtetëror e ka krijuar në mënyrë “paqësore”, por që nga fillimi i funksionimit si shtet i mëvetësishëm, në thelb është përballur me kërcënime dhe probleme të qenësishme, që seriozisht e kanë atakuar identitetin, respektivisht sovranitetin shtetëror. Problemi i parë dhe shumë serioz që nuk ka lejuar këtë shtet të ec përpara, është emri kushtetues i tij, të cilin OKB e njeh si ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM). Edhe pse përkundër shumë tentativave për pajtim me shtetin fqinj Greqinë, në vitin 1995 u besua për një normalizim të marrëdhënieve me shtetin helen, por edhe sot e kësaj dite, Greqia është një nga pengesat kryesore të integrimit të Maqedonisë në organizatat më të fuqishme ndërkombëtare.  Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë debatuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor. Perspektiva e anëtarësimit mbetet e hapur, por problemet edhe më tej janë shumë të mëdha. As thirrjet ndërkombëtare dhe as ato të brendshme nuk e kanë detyruar Gjorge Ivanovin të ndryshojë qëndrim. Presidenti maqedonas deklaroi se, pengesat për dorëzimin e mandatit të krijimit të qeverisë nuk janë kapërcyer ende, ndaj dhe ai vazhdon t’i qëndrojë vendimit të datës 1 mars, kur iu drejtua qytetarëve duke kërkuar publikisht që të rrëzohet “platforma shqiptare” e mbështetur nga Zoran Zaev, e cila vë sipas tij në pikëpyetje interesat shtetërore. “Përderisa presidenti jam unë, – ishte deklarata e tij, – atëherë vendos të mos ia jap mandatin një personi apo partie që vë në rrezik shtetin, integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë. Nuk do të tërhiqem nga këto vlera themelore, me të cilat askush nuk ka të drejtë të bëjë tregti”.  “Vendimi i presidentit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov për të mos e ndarë mandatin për formimin e qeverisë ka për qëllim krijimin e një situate me rrezik gjeopolitik që të imponohet intervenimi në nivele më të larta ku elita e VMRO DPMNE- së e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, të mund të realizoj pazare për të shpëtuar nga përgjegjësia para organeve të drejtësisë”, ka thënë analisti Ismet Ramadani. Në Maqedoni protestat kundër gjuhës shqipe po mbahen për dy javë me radhë, nën organizimin e iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” dhe sipas të gjitha gjasave kjo gjë po i jep kurajo presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov me kompaninë e tij të prolongojnë krijimin e qeverisë së re.

Advertisements