Breaking News

Arabët u mbytën në gjakun e tyre duke humbur të tashmen dhe duke u endur në të ardhmen

4bkc372d52c51djg3m_800c450Bota përparon me kalimin e kohës. Për më shumë, ora nuk është më njësi matjeje pasi mori për bazë llogaritjeje minutën, madje edhe sekondën, bashkë me progresin madhështor shkencor të bërë nga njeriu, duke e bërë këtë botë të mahnitshme për sa i përket shpejtësisë së zhvillimit dhe risive që riformojnë jetën tonë.

Opinion Talal Selman Ndërsa arabët, si vende e popuj, bëjnë mbrapa me kalimin e kohës, me disa përjashtime që përfshijnë grupe krijuesish në fusha të ndryshme shkencore, në fusha të ndryshme të artit të tilla si muzika, kënga, piktura e skulptura, madje edhe në fushën e inovacionit dhe shpikjes. Por këto raste mbeten individuale, iniciator i shfrytëzimit të të cilave shpesh bëhet i huaji që i “blen” talentet tona të reja më së shumti me nënshtetësinë e tij, të cilën e shohin si një privilegj të artë, apo drejtpërsëdrejti me ar, duke përfituar nga mungesa e interesit të qeverive të tyre, madje injorimit të tyre, si dhe duke i “vrarë” ata me burokraci e neglizhencë. Kjo ishte para shpërthimit të kryengritjeve në disa vende arabe, kryengritje të cilat u përballën nga ana e disa regjimeve diktatoriale me shtypje e dhunë duke u kthyer - ose pothuajse u kthyen - në projekte luftërash civile. Kështu, “revolucioni”, “kryengritjet” apo edhe protestat, u mbytën në gjakun e rebelëve e të protestuesve të cilët askush prej tyre nuk mbartte armë dhe të cilët nuk sulmuan bashkërisht forcat ushtarake e policinë, madje as “policinë sekrete” ... dhe disa prej tyre ka mundësi të jenë ende nëpër burgje deri më sot.

Ëndrrat kombëtare dhe nacionaliste u shkatërruan. Madje, këto ëndrra pothuajse u kthyen në makthe dhe u bënë objekt relikti e barsolete dhe arsye për etiketim ndaj të zotëve të tyre. Të flitet për panarabizmin, për shembull, e aq më shumë për aspiratat për unitet arab, është si të flitet për një mit. Ndërsa nacionalizmi është herezi apo intolerancë dhe kërkimi i nënshtetësisë së huaj – veçanërisht asaj amerikane – nuk është më një shkak për vërejtje apo qortim, por është kthyer në një krenari dallimi e unikaliteti.

Ndërsa e reja, si rast përjashtues, është puna për të shndërruar opozitën në një nga dy gjëra, që të dyja të hidhura: ose luftë civile, ose grindje sektare. Të dyja çojnë në shkatërrimin e vendit, e godasin unitetin kombëtar të popullit dhe i hapin derën ndërhyrjes nga jashtë, ashtu siç çojnë në humbjen e pavarësisë, të unitetit popullor dhe entitetit politik.

Të paktën katër vende arabe – Iraku, Siria, Libia dhe Jemeni – pothuajse janë zhdukur në mes të luftërave në të cilat përzihen sektarizmi, doktrinaria e racizmi, të cilat që të gjitha çojnë në copëtimin e unitetit popullor dhe pastaj të entitetit politik, si dhe hapjen e portës për ndërhyrje të jashtme (e cila domosdoshmërisht përfshin Izraelin, madje Izraeli është ndoshta në thelb të shkaqeve të konflikteve, pa e përmendur atë si përfituesin e parë dhe më të rrezikshëm nga të gjitha ato negativitete).

• Iraku po jeton që prej trembëdhjetë vitesh të gjata një mori luftërash: e para e të cilave ishte lufta amerikane kundër tij nën pretekstin e tiranisë së Sadam Huseinit, luftë e cila e shkatërroi shtetin, e çorganizoi ushtrinë dhe i plaçkiti thesaret shkencore e kulturore të këtij vendi, duke përfshirë Bibliotekën Kombëtare të pasur me asetet e saj, muzetë që mbartnin trashëgiminë mijëravjeçare të përparimit, lavdisë dhe qytetërimit. Pastaj, pas saj, nën hijen e pushtimit amerikan dhe nën kujdesin e tij, filloi projekti i luftës civile nëpërmjet përçarjes kur iu dha pushteti disa politikanëve shi’itë dhe disa sunitëve, shumica e të cilëve ishin në mërgim (kryesisht në Britani), duke u kthyer nga andej si “të huaj” dhe duke nxituar drejt pushtetit me lakmi të jashtëzakonshme. Më pas filloi plaçkitja e pasurisë së Mesopotamisë, u zmadhua sektarizmi, dhe “fisnikëra shiite”, mes të cilëve agjentë të njohur, iu vërsulën pushtetit duke shkaktuar korrupsion, grabitje dhe diskriminim në lidhje me të drejtat dhe detyrat. Ndërkohë, disa prej “parisë sunite” anuan kah Arabia Saudite dhe vendet arabe të Gjirit Persik, apo kah Turqia, që është më e rrezikshme, duke u armiqësuar me pushtetarët e rinj nën slogane sektare në emër të opozitës politike. Kështu, nën kujdesin amerikan, u plotësuan elementët e përçarjes, u copëzua shteti, ushtrinë e së cilës e degraduan amerikanët duke shkaktuar endjen e elementëve të saj në të gjithë rajonin. Shumë prej tyre u bënë bomba të kurdisura dhe nuk kaloi shumë kohë e disa prej tyre u rreshtuan me bandat e armatosura që luftonin kundër “sistemit sektar”, disa të tjerë u ekstremizuan më shumë duke u rreshtuar me ISIS-in nën flamurin e “kalifit” Ebu Bekr al-Bagdadi.

• Sa i përket Sirisë, çështja e saj është më pak e komplikuar, edhe pse rezultatet nuk janë më pak të rrezikshme se ato që dëshmoi Iraku. Filloi me një demonstrim proteste të drejtë në Dar’a kundër akteve të rënda të prefektit të saj të përforcuar me forca të cilat nuk dinin tjetër gjë përveç ekzekutimit të urdhrave, sado të ashpra, të pajustifikuara dhe nxitëse të ndjeshmërive sektare a fetare qofshin ato. Kur u përkeqësua situata, qeveria e nënvlerësoi situatën e pakënaqësisë së të varfërve që u irrituan nga vendimet e hapjes ekonomike, procedurat e saj dhe reflektimet e saj mbi ata që u konsideruan se i përkisnin klasës së mesme ekonomike, duke e kuptuar se ata u varfëruan në bazë të një vendimi rastësor nga qeveria, nervi kryesor i së cilës ishin. Ishte e natyrshme që të ndërhynin shtete arabe e të huaja, veçanërisht ato që u shqetësuan nga qëndrueshmëria e qeverisë dhe marrëdhënia e saj e veçantë me Iranin e më pas me Hezbollahun e Libanit. Shto këtu edhe intensifikimin e krizës së kushteve të jetesës së punëtorëve dhe fshatarëve të cilët pretendonin se qeveria ishte në anën e tyre.

• Sigurisht, shtetet – në krye të të cilave Turqia, së cilës qeveria (siriane) i kishte dhënë më shumë sesa meritonte – e shfrytëzuan mundësinë për të ngatërruar dhe dobësuar qeverinë, madje edhe të punonin për rrëzimin e saj. Ishte e natyrshme që qeveria (siriane) të egërsohej për të mbrojtur ekzistencën e saj, gjë që shkaktoi kthimin e opozitës në një numër organizatash të armatosura, disa prej të cilave u miqësuan me Turqinë dhe disa të tjerë u miqësuan me disa shtete arabe të Gjirit Persik, të cilat nuk vonuan t’i mbështetnin dhe të hapnin kryeqytetet e tyre për t’i mirëpritur, por edhe të hapnin salla operative dhe të trajnonin kuadro e t’i pajisnin me armë e raketa, madje edhe me mjete moderne komunikimi. Gjërat u komplikuan rrezikshëm, disa pjesë të Sirisë së gjerë u ndanë apo i ndanë nga qeveria qendrore dhe disa pjesë të tjera mbetën shkretëtirë. Iranianët erdhën të luftonin përkrah qeverisë, më pas me ta u bashkua edhe Hezbollahu nga Libani, para se presidenti rus Vladimir Putin ta shihte të domosdoshme t’i përgjigjej kërkesës së qeverisë siriane për ndihmë, duke u nisur nga llogaritë e tij personale, të cilat, në përkeqësimin e ngjarjeve dhe në rritjen e aftësive të “fraksioneve islamike” që luftojnë në Siri – duke përfshirë Al-Kaeda-n dhe ISIS-in që zunë vend në Rakka, në një distancë rreth 500 kilometra nga Damasku – shohin një burim rreziku për Rusinë. Kështu, solli disa armatime, të cilat i pasoi me shumë mjete të forcës së tij ushtarake në mbrojtje të qeverisë në Rusi.

• Kurse Libia, zemërimi i popullit të së cilës shpërtheu kundër regjimit, lider i të cilit ishte Kolonel Muammar Gaddafi që jetonte në botën e tij larg nga shqetësimet e njerëzve – pavarësisht arritjeve të tij në fushën e ndërtimeve – u përpoq të trajtonte zemërimin me mizori, duke e bërë më të rrezikshme situatën dhe hapi rrugën për ndërhyrjen e disa shteteve në kryengritjen popullore e cila i bëri ballë represionit. “Vëlla Kolonelit” nuk i bëri dobi largimi nga Tripoli drejt vendlindjes së tij, qytetit Sirt të cilin e bëri kryeqytet. Përkundrazi, ndaj tij u intensifikua përndjekja dhe iu ngushtua rrethimi duke shkaktuar përzierjen e ndërhyrjes së dhunshme me zemërimin e të pakënaqurve. Kështu, u eliminua në mënyrë shumë të shëmtuar (përmendet se inteligjenca franceze është përfshirë drejtpërdrejt në fundin e tij dhe në përhapjen e imazheve të tmerrshme të mënyrës së ekzekutimit të tij në mënyrë të pështirë, madje edhe të kundërshtarëve të tij). Dhe ja, pas pesë vjet e gjysmë Libia vazhdon të jetojë në vorbullën e gjakut dhe dhunës, sepse opozitat e saj nuk pajtohen as në një minimum mendimi, ashtu siç asnjëra prej tyre nuk ka formuar shtet. Gjithashtu, u zgjuan kujtime të përgjumura e përçarëse që përpiqen ta rikthejnë Libinë në tri vilajete, siç ishte në ditët e monarkisë (Sanusite). Me pak fjalë, populli i saj u përmbyt në gjakun e tij, “qeveritë” e saj përleshen për zonat e tyre të influencës dhe “ndërmjetësit” nuk mund ta nxjerrin atë në breg të sigurt. E gjithë kjo, pa harruar edhe disa nga vendet arabe të gazit e të naftës që kanë kontribuar në ndezjen e konfliktit në këtë vend i cili ishte i pasur, por populli i tij mbeti i varfër.

Advertisements