Breaking News

Thaçi me akuza të rënda ndaj opozitës

Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri aktual që po synon të bëhet president i vendit, ka thënë sonte në Gjakovë se të gjithë ata opozitarë që sot po thirren në kauza kombëtare, asnjëherë që nga paslufta nuk i kanë bërë asnjë të mirë Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Nga Gjakova ai ka thënë se do që t’i pyesë ata që tash, sipas tij, bëjnë zhurmë për çështje që nuk janë kauza, por thjeshtë interesa elektorale partiake, të tregojnë se a e kanë marrë ndonjë herë një vendim në të mirë të qytetarëve. “A e kanë marrë ndonjëherë ndonjë vendim për pagat e mësimdhënësve, punëtorëve shëndetësorë, për veteranët e invalidët e luftës, pos që kanë punuar në fryrjen e numrit të tyre, për familjet e dëshmorëve, për pensionistët, për studentët. Unë nuk ju mohoj sakrificën e mëhershme të askujt, por të sakrifikuarit për vendin nuk të justifikon me e shkatërru sot shtetin”, ka thënë Thaçi. “Asociacionin e ka votuar edhe AAK-ja që ka qenë bashkë me mua në Bruksel. E sot po u del kauzë nacionale. Siç e dini, ne sot kemi pasur takim në zyrën e presidentes. Të jeni të bindur se njerëzit e opozitës që kanë qenë brenda, dhe s’ka pasur shumë të opozitës, as që e kanë hapur gojën për Demarkacion dhe Asociacion. Ai ka folur vetëm për agjendë elektorale”, ka thënë Thaçi “E them me përgjegjësi të plotë se në çdo hap do të respektohet Kushtetuta dhe Republika e Kosovës. Po ju them me përgjegjësi të plotë se nuk do të humbë asnjë centimetër tokë e Kosovës. Ne ju besojmë institucioneve tona, ju besojmë hartave të NATO-s e jo atlasave të ekspertëve të Rusisë”, ka shtuar Thaçi.