Breaking News

Partia “Uniteti popullor”, e ngarkuar për formimin e qeverisë së re në Greqi

Presidenti grek Prokopis Pavlopulos përmes një dekreti kishte ngarkuar Panagiotis Lafazanis, lider i partisë e cila ka qenë kundër masave të kursimit ekonomik në Greqi, që të formojë qeverinë e re greke.
Lideri i partisë majtiste “Uniteti popullor” ka zhvilluar një takim në Athinë me presidentin e Greqisë, për marrjen e pëlqimit për krijimin e qeverisë së re greke. Lafazanis, partia “Uniteti Popullor” e të cilit u themelua vetëm ditën e premte, mori të drejtën e 3 ditëve negociatash për të formuar një koalicion, pasi partia më e madhe në opozitë, Demokracia e Re, dështoi ta arrinte diçka të tillë. Kryeministri Alexis Tsipras, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar pasi Lafazanis udhëhoqi një rebelim në partinë e tij Syriza, ka akuzuar opozitën se qëllimisht po vonon zgjedhjet e parakohshme, të cilat sipas tij janë thelbësore për të siguruar stabilitetin politik grek.

Lafazanis, i cili u nda formalisht nga Syriza për të krijuar “Unitetin Popullor” së bashku me 24 politikanë të tjerë rebelë, tha se do të shfrytëzonte të trija ditët e lejueshme sipas Kushtetutës. Gjithsesi, ai tha se do t’i bëjë jehonë edhe të mëtejshme, përpara zgjedhjeve të parakohshme të pashmangshme, kundërshtisë së tij ndaj politikave të dhimbshme ekonomike që Eurozona dhe FMN-ja i kanë imponuar Greqisë gjatë 5 viteve të fundit, në këmbim të kësteve të ndihmës së shpëtimit. Opozita duket se nuk ka ndërmend të nxitojë për t’u “takuar” sërish me votuesit, të cilët pritet të kthehen nga pushimet verore e do të vihen përballë standardeve të jetesës edhe më të shtrënguara se më parë, për shkak të rritjes së taksës mbi vlerën e shtuar, si dhe vendosjes së taksës “solidarizuese” mbi të ardhurat, masa këto të detyrueshme nga marrëveshja e re me huadhënësit, gjë që mund të bëjë që Tsipras të humbasë disi nga popullariteti i tij. “Demokracia e Re” dështoi gjatë afatit treditor të sajin për të gjetur partnerë koalicioni. Me të skaduar ky afat, natën e së mërkurës, Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos pritet të bëjë përpjekjen e fundit për të arritur kompromis mes partive. E duke qenë se edhe kjo përpjekje është e destinuar të dështojë, ai do të caktojë një kryeministër në detyrë dhe do të thërrasë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 30 ditëve. Populli grek, nga ana tjetër, ka nisur të shqetësohet se zgjedhjet mund të dështojnë t’i japin fund paralizës së vendit, që supozohet se do të nisë me implementimin e masave shtrënguese të marrëveshjes, dhe se një raund i dytë zgjedhor mund të jetë i domosdoshëm si në vitin 2012.